Kryetari i BIK Naim Tërnava flet për hapjen e xhamive

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava thotë se do shihet mundësia e hapjes së xhamive për faljen e namazit të xhumasë dhe namazave ditore, kjo pasi që numri i të prekurve me COVID-19 është duke u zvogëluar.

Tërnava deklaroi se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik.

“Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik dhe do të shohim mundësinë e parë të faljes së namazeve në xhamitë tona, sigurisht që edhe unë edhe ju të gjithë jemi të etur të kthehemi në shtëpitë e Zotit, se Zoti ne Kuran na ka thënë: “Xhamitë janë të Zotit dhe në to nuk meriton të adhurohet askush përveç Zotit”. Inshallah shumë shpejt me emrin e Zotit do të largohet virusi dhe do të kthehemi xhamive tona”, thuhet në komunikatën e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Ai tutje falënderoi të gjithë besimtarët për durimin dhe mirëkuptimin karshi masave të dhimbshme por të obligueshme që janë marrë nga Bashkësia Islame e Kosovës me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.

Kujtojmë se për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, janë ndaluar ceremonitë fetare.//KosovoInsights