Kurti: Kosova ka pasur vazhdimisht Gjykata Speciale, andaj kjo Gjykatë është e padrejtë në raport me luftën e UÇK-së

Në një konferencë për media, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për Gjykatën Speciale dhe paraqitjen e ish-krerëve të UÇK-së, me këtë rast ka kërkuar bashkim për ta mbrojtur luftën çlirimtare si tërësi, shkruan “Kosovo Insights”.

“Kemi folur gjerë e gjatë për Gjykatën Speciale në shtatë vitet e fundit dhe s’ka nevojë të përsërten këto, Kosova ka pasur vazhdimisht Gjykata Speciale, andaj kjo Gjykatë është e padrejtë dhe e njëanshme në raport me luftën e UÇK-së”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka potencuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Regjep Selimi nuk kanë bërë luftë kriminale dhe as nuk kanë pasur qëllim të kontrollojnë gjithçka në kohën e luftës.

“Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup Kriminal përbrenda, apo siç e quajnë ata ndërmarrje kriminale. Prokuroria e ka gabim s’ka pasur strukturë paralele kriminale, lajmi për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së nuk është i vërtetë”, tha ai

Kurti tha se UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe “të gjithë duhet ta mbrojmë atë”.//KosovoInsights