Kurti pas tërmetit në Turqi: Forcës shkatërruese të natyrës i del përballë vetëm solidariteti ndërnjerëzor

Një tërmet i fuqishëm goditi të premten Detin Egje midis bregdetit turk dhe ishullit grek të Samos, duke vrarë të paktën 22 njerëz dhe duke plagosur mbi 700 të tjerë, si dhe duke shembur shumë ndërtesa, thanë zyrtarët.

Në Turqi u raportua për së paku 20 të vdekur, ndërsa dy njerëz vdiqën në ishullin grek të Samos dhe 19 u plagosën.

Për këtë ngjarje, përmes llogarisë së tij sociale, ka reaguar edhe Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke potencuar se është tronditës lajmi për tërmetin në Izmir të Turqisë dhe ishujt grek përreth.

Vendi ynë solidarizohet me Turqinë e Greqinë, dhe të gjithë ata që janë të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, ka shkruar Kurti.

 

Tronditës lajmi për tërmetin në Izmir të Turqisë dhe ishujt grek përreth. Forcës shkatërruese të natyrës i del përballë vetëm solidariteti ndërnjerëzor. Familjeve të viktimave, u shpreh ngushëllime të sinqerta. Familjeve të atyre nën rrënoja, uroj t’i nxjerrin të gjallë më të dashurit e tyre. Vendi ynë solidarizohet me Turqinë e Greqinë, dhe të gjithë ata që janë të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.