Kurti politikani model i cili nuk i nënshtrohet hiperfuqisë 300 milionëshe

Andi Bushati

Albin Kurti ka dhënë një tjetër shembull prej politikani me shtyllë kurrizore që i respekton bindjet e veta. Duke refuzuar një ftesë nga përfaqësues të diaporës në SHBA, për të marrë pjesë në tubimin për koordinimin e veprimeve me presidentin në largim, Hashim ThaçI dhe kryeministrin patericë të tij, Avdullah Hoti, ai ka shkuar shumë më larg sesa ajo që i kërkohej. Ai ka apeluar unifikimin e faktorit shqiptar, për të kundërshtuar Riçard Grenellin si të derguar special të dialogut Serbi- Kosovë.

Se çfarë peshe ka një deklaratë e tillë, ajo mund të perceptohet nga një titull që qarkulloi sot në disa media on line të Kosovës: “Lideri i Vetëvendosjes i vë kushte Amerikës”.

Pra mjafton kjo antitezë për të përshkruar gjithçka.

Ajo lë të kuptohet donkishotizmin e një njeriu të vetëm që ngrihet kundër hiperfuqisë 300 milionëshe, herezinë e një kokëkrisuri në një mjedis që sillet me servilizëm të pështirë ndaj çlirimtarëve të dy dekadave më parë, symbylltësinë për të mos mbijetuar në politikë duke u sjellë si yessman i Ame(l)ikës.

Kjo lloj qasjeje, tipike prej subjektesh të nënshtruar në republika bananesh, që synon të mbysë argumentet me dhunën e më të fuqishmit dhe të menduarit mendjehapur me arrogancën e atij që nuk pranon dialog, është shumë e përhapur, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë.

Dikush mund të shprehë rezerva për paligjshmëritë mbi të cilat po ngrihet Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, kundërshtarët e tij i përgjigjen: “po këtë e pranon Amerika”. Dikush mund të nervozohet se rikthyem sërisht zgjedhjet moniste, të dytët i thonë po ato i njohu Uashingtoni. Dikush revoltohet se nuk mund të përmbyset një qeveri e votuar masivisht, ata që justifikojnë LDK-në i’a kthejnë se qe porosi e përtej Atlantikut.

Pikërisht, në këtë sens, është i vlefshëm edhe qëndrimi i sotëm i Albin Kurtiti. Ai tenton ta zhveshë debatin politik nga klishetë idiote që e bëjnë një vend dhe një qytetar të humbasë respektin për veten. Ai apelon për t’u mbështetur tek arsyeja dhe logjika.

Duke bërë thirrje për largimin e Riçard Grenellit si udhëheqësi i dialogut mes dy armiqve historikë, lideri i Vetëvendosjes tenton ta zhvendosë debatin nga, kush është më i madhi dhe cili më i vogli, kush duhet të urdhërojë dhe cili të bindet, në një rafsh racional.

Pyetjet që ai tenton të nxjerrë në pah janë themelore: A duhet të pranojnë shqiptarët një “arbiter” që u angazhua në rrëzimin e një qeverisjeje që shprehte vullnetin e votuesve? A duhet të mbyllin ata sytë ndaj formimit të një kabineti, që do shkojë drejt dialogut me Beogradin duke u varur nga votat e listës serbe? A duhet të pajtohen me parimin e Grenellit se viktimat duhet të heqin dorë nga reciprociteti, ndërsa agresorët e djeshëm mund të bëjnë ç‘të duan? A duhet të plogështohen ndaj këmbënguljes që marëveshja të bëhet shpejt , pasi afatet kohore janë më të rëndësishme sesa cilësia e saj?

Natyrisht, këto dilema nuk kanë nevojë për përgjigje. E vetmja që atyre mund tu kundërvihet është shprehja standarte: “epo nuk mund ta humbin aleatin tonë të madh Amerikën”.

Por në reagimin e sotëm, Albi Kurti e ka një përgjigje edhe për këtë. Ai ka sjellë në vëmendje historinë e diplomatit amerikan Gelbard, që një vit para ndërhyrjes së NATO-s më 1998, e kategorizoi UCK-në si organizatë terroriste. Pra, me mendësinë e atëhershme, Thaçi, Veseli dhe Haradinaj e meritonin plotësisht fatin që mund ti rezervojë sot Gjykata Speciale. Ata ishin thjeshtë kriminelë, ose në rastin më të mirë agjentë të Millosheviçit, ashtu sikurse mendonin të njëjtët njerëz që dje ishin me Gelbardin dhe sot me Grenellin.

Por, fakti se shumica e shqiptarëve nuk pranuan ti shohin çlirimtarët e tyre me sytë e emisarit amerikan, si dhe një fat aq i madh sa rallë përsëritet dy herë për disa shekuj, bënë që gjërat të ndryshojnë. Dhe ky është rasti tipik, kur jo servilizmi, por këmbëngulja në bindejt e tua, bën që të fitosh edhe respektin e Amerikës, që pastaj e shndërroi në aleate të saj UCK-në.

Pikërisht, për evokimin e këtij shembulli, si dhe për hapjen e debatit lidhur me mënyrën se si duhen parë gjërat, ka një meritë të veçantë Albin Kurti.

Më shumë sesa mbetja apo largimi i Rik Grenellit nga arbitrimi i dialogut, ky është një diskutim që ka të bëjë me modelin tonë politik, me sjelljen prej yesmeni të shtetarëve që vjedhin shqiptarët e i nënshtrohen amerikanëve, me një psikozë të përhapur gjërësisisht, se arsyeja dhe logjika duhet ti nënshtrohen urdhrave të aleatit të madh.

Të sillesh ndryshe në një mjedis politik, ku edhe kur e shigjeton për vdekje ambasada e SHBA-së, çdokush reket të gjejë ndonjë presje a togfjalësh për ta shitur se deklarata qe në favorin e tij, përbën një rast të veçantë në anët tona. Ky shkallmim i mureve të hipokrizisë dhe prishje e lojës të të qënit ‘politikisht korrekt” është modeli që na propozon Albin Kurti. E për këtë edhe kur nuk e votojmë, do të duhej së paku t’a falenderojmë, pasi na ysht, që para se të nënshtrohemi, të përpiqemi të arsyetojmë me mendjen tonë.