Kurti shkarkon këshilltarin Shkëlzen Gashi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti  e ka shkarkuar sot këshilltarin e tij politik Shkëlzen Gashi.

Shkarkimi i Gashit vjen pas deklaratave të tij, një ditë më parë, ku akuzonte pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vrasjen e serbëve gjatë luftës në Kosovë.

“Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi”, ka bërë të ditur Kurti përmes një postimi në Facebook.

Kurti ka bërë të ditur se ka shkarkuar Gashin, duke thënë se “disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim”.

“E falenderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, ka thënë Kurti.