Kurti: Të bashkuar e në solidaritet qëndrojmë pranë më të dashurve të viktimave si dhe mbarë popullit të Austrisë

Pas sulmit të përgjakshëm terrorist në mes të qytetit të Vjenës të hënën në mbrëmje, një nga të dyshuarit kryesor duket se e kishte njoftuar aktin në internet. Sipas informacioneve të gazetës austriake “Krone”, njëri nga të dyshuarit është një 20-vjeçar nga Maqedonia e Veriut i cili gjithashtu kishte shtetësi austriake.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit terrorist që ndodhi mbrëmë në Vjenë.

Përmes një shkrimi në  Facebook, Kurti ka potencuar se sulmet e tilla fuqizojnë bindjen për të rezistuar ndaj çdo përpjekje për të mbjellë frikë.

“Pas sulmeve në Dresden të Gjermanisë ku u vra një e një tjetër u lëndua rëndë dhe në Paris e Nicë të Francës ku u vranë njëherë një e pastaj tre, edhe Vjena përjetoi një akt terrori famëkeq. Sulme të tilla rëndojnë mbi familjet e viktimave dhe popujve të tyre, por fuqizojnë bindjen dhe idealin njerëzor anekënd globit për t’i dënuar ato dhe për të rezistuar ndaj çdo përpjekje për të mbjellë frikë në jetët tona. Të bashkuar e në solidaritet qëndrojmë pranë më të dashurve të viktimave dhe të të lënduarve, si dhe mbarë popullit të Austrisë”, ka shkruar Kurti.//KosovoInsights