Kurti: Të dënohen përgjegjësit e Masakrës së Mejës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje të hënën për ndjekjen penale dhe dënimin e përgjegjësve për masakrën e Mejës, në 21 vjetorin e saj.

“Sot, 21 vjet pas, përgjegjësit – emrat e të cilëve janë përmendur edhe në Gjykimet e Tribunalit të Hagës – janë akoma të lirë dhe jetojnë pa shqetësime në vende të ndryshme të Ballkanit. Bëjmë thirrje që me të pasur mundësinë e gjykimit në mungesë, këta persona do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen në mënyrë meritore për krimet që kanë kryer”, ka thënë Kurti në Mejë.

Ai, bashkë me kryekuvendaren Vjosa Osmani kanë bërë homazhe tek varrezat në Mejë, bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi për shtyp.

Meja është vendi i masakrës më të madhe të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Prandaj 27 Prilli shënon Ditën e të Zhdukurve në Kosovë.

376 shqiptarë të moshave të ndryshme u vranë, masakruan dhe kidnapuan brenda ditës.

“Sot, si rrjedhojë e rrethanave të krijuara nga COVID-19, në pamundësi për të qenë me familjet e atyre që humbën më të dashurit, e të atyre që akoma presin të dinë për fatin e tyre, Kryeministri i vendit zgjodhi të jetë afër kujtimit të atyre që nuk janë më mes nesh”, shkruan në njoftim.