Lajçak: Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, dialogu është çelësi për të ardhmen e Bashkimit Evropian

Në një diskutim virtual organizuar nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare e Universitetit Johns Hopkins, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak ka deklaruar se me zgjedhjen e një presidenti të ri dhe administratës, ne presim që të kthehemi në pozicionin shumë të mirë të bashkëpunimit më të afërt të mundshëm me partnerët tanë të SH.B.A.-së, transmeton “Kosovo Insights”.

“Me zgjedhjen e një presidenti të ri dhe administratës, ne presim që të kthehemi në pozicionin shumë të mirë të bashkëpunimit më të afërt të mundshëm me partnerët tanë të SH.B.A.-së në të mirë të vendeve dhe popujve të rajonit”, ka deklaruar Lajçak.

Sipas tij ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për arritjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se deri tani kishte pyetje në rajon lidhur me ato që dukeshin si qëndrime të ndryshme nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i ri i SHBA-ve, Joe Biden, ka shprehur një qëndrim më tradicional diplomatik në lidhje me dy vendet.

Lajçak ka theksuar se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të kontribuonte pa dyshim në stabilizimin e rajonit “sepse së pari ka serbë dhe shqiptarë që jetojnë në çdo vend të rajonit dhe së dyti, natyrisht cilindo model të zbatojmë në këtë dialog dypalësh, ai mund të jetë me interes për fqinjët”.

Lajçak potencoi se çdo marrëveshje që mund të arrihet mes palëve duhet “të jetë e bazuar në parimet dhe vlerat evropiane sepse përveç normalizimit të marrëdhënieve, qëllimi po aq i rëndësishëm është t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë më pranë Bashkimit Evropian”.

“Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, dialogu është çelësi për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Nuk ka asnjë alternativë përveç dialogut, kështu që kjo do të thotë që ata të dy duan të ardhmen në BE dhe për këtë arsye e dinë se kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha ai.

“Nuk është e lehtë sepse kemi të bëjmë me çështje të shtetësisë, identitetit dhe askush nuk dëshiron të dalë si humbës, por interesi ynë nuk është të kemi një fitues dhe një humbës. Interesi ynë është që të gjithë të fitojnë në këtë proces”.

Ai qartëson se nuk është dakord me filozofinë që për çfarëdo që palët bien dakord, “ne duhet ta pranojmë sepse ne (BE) jemi gjithashtu mbrojtësi i vlerave Evropiane”.

“Ne duhet të sigurohemi që rezultati përfundimtar do t’i afrojë ata me Bashkimin Evropian dhe jo t’i çojë më larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se produkti përfundimtar, marrëveshja përfundimtare do të jetë e pranueshme për vendet anëtare të BE-së dhe gjithashtu për vendet e rajonit, ne jemi këtu për të qenë pjesë e një zgjidhjeje evropiane, një zgjidhje për shekullin 21 dhe jo zgjidhja që bazohet në shekullin e 19-të”, theksoi Lajçak.//Kosovo Insights