LDK : Nuk e përdorim shkopin për të goditur askënd

Lidhja Demokratike Kosovës (LDK) përmes një komunikate për media ka deklaruar se dënon gjuhën “denigruese, fyese dhe përçarëse” të kryeministrit në detyrër, Albin Kurtit, kundër kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe partisë në përgjithësi.

Kryeministri Kurti, të hënën gjatë një interviste ka thënë se nuk mund të kenë bashkëpunim me LDK-në përderisa sipas tij, kryetari Isa Mustafa përdor shkopin më shumë për ta goditur Vjosa Osmanin se sa për të ecur më të.

“Kur u duhet për arsye shëndetësore, njerëzit e LDK-së mbahen edhe për shkopi. Por, shkopin nuk e kemi përdorur dhe nuk do ta përdorin asnjëherë për ta goditur dikë apo për t’i gjuajtur institucionet e shtetit dhe as pronën private të askujt. Siç ka bërë dhe po paralajmëron se do të bëjë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti”, vijon njoftimi i LDK-së.

Sipas LDK-së, përpjekjet e Kurtit për të krijuar përçarje në LDK janë të kota, pasi që siç thonë ata, në LDK vlerësohet dhe respektohet mendimi ndryshe, por në fund vendimet merren me shumicë votash.

“Ndryshimi i shpeshtë i qasjes ndaj LDK-së dhe kryetarit të saj, Isa Mustafa, tregojnë jo vetëm natyrën egoiste e inatçore të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por manifestojnë edhe probleme personaliteti”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK më tej ka deklaruar se sulmet e fundit kundër kryetarit të LDK-së dhe personaliteteve të partisë, i bëjnë më të fortë dhe konsistentë për të mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve.

“Lidhja Demokratike ju bën thirrje gjithë qytetarëve që të mos bien pre e fushatave linçuese të orkestruara nga Vetëvendosje kundër çdo personaliteti publik dhe privat që mendon ndryshe nga ata. LDK-ja beson dhe punon për forcimin e institucioneve dhe mekanizmave të krijuara nga shteti i Kosovës, për të garantuar liritë qytetare, lirinë e fjalës dhe mendimin ndryshe”, përfundon komunikata e LDK-së.

Albin Kurti të hënën mes tjerash ka deklaruar se “nuk mund të them që PDK e kontrollon LDK-në, mund të them që Presidenti e kontrollon udhëheqjen e LDK-së”. //KosovoInsights