LDK tenton të kapë Universitetin e Prishtinës

Lëvizja studentore për barazi “Studim Kritikë Veprim” ka bërë të ditur nëpërmjet një komunikate se LDK po tenton të kapë Universitetin e Prishtinës duke vendosur në Këshillin Drejtues të UP, njerëz të kësaj partie apo të afërt me këtë parti.

Ata kanë thënë se në këtë formë po tentohet të minohet Universiteti Publik nga influenca e kolegjeve private.

Komunikatën e SKV-së mund ta ndiqni të plotë si në vijim:

“Sot u informuam që Ministrja e Arsimit ka emëruar tre anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës me ç’rast kemi kuptuar që këta anëtarë janë profile me ndikim partiak dhe jo vetëm.

 Fisnik Reçica është i afërt e bashkëpunëtor i partisë në koalicion qeverisës të LDK-së kurse bashkë me anëtarin tjetër Mentor Geci janë punëtorë në kolegje private, RIINVEST dhe UBT, kjo e fundit e bërë e ditur nga organizata ORCA.

Tendenca që kolegjet private përmes shërbyesëve të tyre të kontrollojnë dhe t’i japin kahje Universitetit publik të Prishtinës është e patolerueshme, me ç’rast kjo drejtëpërsëdrejti ndikon në konfiliktin në mes këtyre institucioneve.

Kolegjet private mund të jenë vetëm komplementare me Universitetin e Prishtinës dhe jo konkurruese me të.

MAShT fokus parësor duhet të ketë ngritjen e Universitetit të Prishtinës dhe jo minimin e brendshëm të tij nga influencat e kolegjeve private.

Përpjekja që edhe në qeverisjen e re të vazhdohet me avazin e vjetër të ministrave paraprak duhet të ndalet.

I bëjmë thirrje Ministres, znj.Hykmete Bajrami, që sa më parë ta shqyrtoj këtë vendim që ka marrë dhe ta tërheqë atë.

Emrat e apostrofuar nuk janë as të shquar në nivelin akademik e rrjedhimisht as mjaftueshëm kredibil për të marrë këtë rol të cilin ua ka ndarë ministrja ne detyrë.” //KosovoInsights

Rrezikimi i UP-së nga anëtarët e rinj në këshillin drejtues të UP