Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dërgon letër Trump-it për largimin e Grenellit nga detyra e emisarit të dialogut

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane i ka dërguar letër presidentit të ShBA-ve përmes së cilës ka kërkuar që ta lirojë nga detyra ambasadorin Richard Grenel si i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi.

Në letrën e shkruar nga bordi i LQSHA-së thuhet se qasja e Administratës Trump është e gabuar dhe e destinuar të dështojë.

“Ne besojmë se qasja e administratës Trump ndaj konfliktit Kosovë-Serbi në thelb është e gabuar dhe prandaj është e destinuar të dështojë. Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm, Lidhja Qytetare i bën thirrje Presidentit Trump që të largojë Ambasadorin Grenell nga detyrat e tij si i Dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi”, thuhet në letër.

Sipas tyre ambasadori Grenell e keqpërdorur procesin duke e ndjekur një zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë, duke thënë pikërisht kjo qasje ka bërë që në Kosovë të bie qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ne, anëtarët e Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, jemi shumë të shqetësuar për situatën e rrezikshme në Republikën e Kosovës pas rënies së qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti të zgjedhur në mënyrë demokratike. Rënia ishte si rezultat i një lëvizjeje të paprecedentë të orkestruar nga disa anëtarë të elitës politike të Kosovës të përkushtuar për avancimin e interesave të tyre personale, në koordinim me të Dërguarin Special të Presidentit Trump për Negociatat e Paqes Serbi-Kosovë, Ambasadorin Richard Grenell. Lidhja Qytetare gjithmonë ka lobuar te Qeveria e SHBA-së që në koordinim me Bashkimin Evropian të angazhohet plotësisht në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit Kosovë-Serbi,

thuhet aty

Lidhja Qytetare Shqiptaro – Amerikane i ka bërë thirrje politikanëve në Kosovë që të mos vazhdojnë tutje në dëmtimin e vendit, ndërsa ndarjet pro dhe kundër Amerikës, sipas tyre janë qesharake.

“Shpresa jonë është që ata politikanë që tashmë e kanë dëmtuar në mënyrë drastike Kosovën, të kuptojnë se kanë shkuar shumë larg. Pretendimi i tyre se ata janë pro-amerikanë është qesharak, pasi gjithçka që ata kanë bërë në Kosovë për gati 20 vjet ka qenë antiamerikane dhe antishqiptare. Shpresojmë gjithashtu që liderët e rinj të Kosovës, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe të tjerët si ata e kuptojnë rolin e tyre historik për ta nxjerrë Kosovën nga kjo situatë e tmerrshme”, thuhet tutje në letër. //KosovoInsights