Flet nxënësi i Avdullah Hotit- Nuk ishte në gjendje të menaxhoj as lëndën e vet

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka nominuar si kandidat për Kryeministër, profesor Avdullah Hotin. Partia e Mustafës në një mbledhje të Kryesisë unanimisht kanë votuar në mbështetje të kandidaturës për kryeministër të Hotit.

Në mbledhje edhe pse e ftuar, nuk ka marrë pjesë Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Pakënaqësitë brenda LDK-së janë rritur dhe këtë e dëshmon edhe mospjesëmarrja në mbledhje e ish-kandidates për Kryeministre, Vjosa Osmani. Ajo nuk është pajtuar me tentimin për grabitjen e mandatit të Kurtit, nga ana e LDK-së.

Kritika për këto veprime të LDK-së janë drejtuar nga shumë qytetarë të vendit. Për nominimin e Avdullah Hotit ka folur edhe ish-nxënësi i tij. Luigj Uka nëpërmjet një postimi në Facebook, ka vlerësuar kapacitetin menaxherial të profesorit të tij.

“Avdullah Hotin e kam pas profesor në Fakultetin Ekonomik, si ish student i tij, di me thanë se profesori i nderuar nuk ka qenë në gjendje me menaxhuar as lëndën e vet si duhet, as një sallë me 50 student, imagjinoni kapacitetin e tij me e qeverisë një shtet!” është shprehur Uka.

Edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti në një intervistë e kishte quajtur të dobët e pa mbështetje qytetare ish-zv Kryeministrit, të cilin e shkarkoi nga detyra pas deklaratave të tij për rrëzimin e Qeverisë.

“Presidenti aktual dëshiron një kryeministër të dobët, sesa është Hoti i dobët e kanë treguar qytetarët e Republikës. Ai nuk e ka as çerekun e votave më 6 tetor të vitit të kaluar krahasuar me 8 qershorin 2017, dhe nuk është as në 10 më të votuarit në zgjedhjet e 2019”, ka thënë Kurti.