Masat e Qeverisë do ta dëmtojnë rëndë ekonominë e Kosovës

Viti 2020 do të mbetet gjatë në kujtesën e shumë njerëzve. Të gjitha shtetet e botës u përballen me virusin që ka shkaktuar dëme të mëdha, si në resurset njerëzore, ashtu edhe në aspektin ekonomik e shëndetësor. Qartazi shihet se goditja pandemike në vendet e varfëra dhe me një ekonomi të bazuar kryesisht nga importi i mallrave, ka bërë që kriza ekonomike e shëndetësore të thellohet edhe më shumë.

Pandemia Covid-19 ka thelluar krizën ekonomike edhe në Kosovë. Në një studim të bërë nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare thuhet se ndikimi i Covid-19 në ndërmarrjet në Kosovë ka qenë negativ. 95% e të anketuarve kanë thënë se Covid-19 ka pasur ndikim negativ ku prej tyre 58.6% janë deklaruar se kriza ka pasur ndikim shumë negativ.

Në këtë studim është thënë se 59% e biznese kosovare janë të brengosur për mbijetesën e kompanive të tyre. Studimi ishte bërë gjatë fillimit të muajit Prill.

Gjatë kësaj periudhe kohore, nuk dihej shumë për virusin dhe shtetet në të gjithë botën kishin filluar me masa më rigoroze e deri tek mbyllja e tërsishme. Kosova e kishte ndjekur këtë praktikë e cila kishte rezultuar pozitive sidomos në parandalimin e përhapjes së virusit dhe një menaxhimi më të mirë me pandeminë. Për tre muaj rradhazi ishin rreth 1000 qytetarë të infektuar kurse prej tyre nuk ia kishin dal t’i mbijetonin virusit vetëm 31 prej tyre.
Me ardhjen e qeverisë së re, filloi hapja totale. Por, si duket kjo ndikoi negativisht sepse numri i të infektuarve u rritë dhe gjithashtu spitalet u stërmbushën me njerëz të infektuar. Deri më 09.11.2020 janë infektuar 24 mijë e 792 qytetarë, kurse, 768 prej tyre nuk ia kanë dalë të fitojnë betejën me virusin.

Kjo gjendje alarmante e të infektuarve ka bërë që qeveria e re të ndërmarrë disa masa. Në javën që lamë pas, qeveria vendosi që gjatë vikendit të futeshin në karantinë shtatë qytete dhe njëkohësisht vendosi që të mbylleshin qendrat tregtare, kafenetë dhe restoranet e poashtu shumica e bizneseve në vendet e karantinuara. Si duket kjo shkaktoi pakënaqësi tek bizneset dhe shoqata e gastronomëve thirri një protestë për të kundërshtuar këto masa të cilat i konsideruan të rrezikshme për ekonominë. Kryetari i shoqatës së gastronomëve, Petrit Kllokoqi, i bëri thirrje qeverisë që të shqyrtonte masat sepse sipas tij këto masa mund të dërgojnë drejt falimentimit të bizneseve të tyre. Ai gjithashtu ishte shprehur se nëse qeveria vazhdon me këtë qasje, gastronomët do të detyrohen që të vazhdojnë me protestat.

Gjithësesi, edhe pse bizneset po përballen me një rrezik permanent të falimentimit, Qeveria e Kosovës pritet që të marrë një vendim të ri në të cilin siç duket do të karantinohet kryeqyteti i Kosovës, si vendi i cili ditëve të fundit ka më së shumti të infektuar me Covid-19.

A do t’i dëmtoj bizneset e kryeqytetit vendimi i ri i Qeverisë?

Kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje, Shqipdon Berisha, i kompanisë Limitless Marketing L.L.C. dhe Coding Lab L.L.C. për KosovoInsights ka thënë se bizneset i tij do të dëmtohen mjaftë shumë nëse karantinohet kryeqyteti.

Unë kam kompanitë me dhjetëra punëtorë që vijnë nga vende tjera të Kosovës dhe në rast të mbylljes apo karantinimit të Prishtinës, do të më duhet të përballem me një situatë të re jo shumë të favorshme. Punëtorëve nuk do tu lejohet hyrja në Prishtinë dhe me këtë mua do të më rrezikohet biznesi. Unë do të detyrohem të largoj nga puna punëtorët dhe ka gjasë që kompanitë e mia të falimentojnë” është shprehur Berisha për KosovoInsights.

Njëkohësisht, edhe punëtorët po frikësohen se nga vendimet e Qeverisë do të mund të mbesin të papunë. Njëra nga punëtoret e një supermarketi në Prishtinë ka thënë se vendi i saj i punës po rrezikohet nga këto masa. Punëtorja, B.M (emër i njohur për redaksinë por e cila ka dashur të mbetet anonim) e cila jeton në Lipjan por punon në Prishtinë ka thënë se pronari i marketit e ka reduktuar numrin e punëtorëve si shkak i krizës me pandeminë dhe se edhe ajo frikësohet se mund ta heqin nga puna.

Kam frikë se pronari do të më largoj nga puna. Unë udhëtoj çdo ditë nga Lipjani për në Prishtinë sepse këtu punoj si arkatare. Në momentin që do të vendosen masat e reja siç janë karantina për Prishtinën e gjithashtu reduktimi i orarit të punës, kjo do t’i japë mundësinë pronarit që të më largoj nga puna sepse më nuk do t’i nevojitem. Sikur që ka larguar nga puna koleget e mia ashtu do të veproj edhe me mua” është shprehur B.M për KosovoInsights.

I papunë ka mbetur edhe Leutrim Cena nga Rahoveci i cili ka punuar si kamarier në një lokal të Prishtinës.

“Ne kemi qenë tetë punëtorë para pandemisë. Pas pandemisë shefi u detyru që ta reduktoj stafin sepse nuk kishte punë. Ai vendosi që mua dhe tre shokët e mi të na largonte nga puna sepse më nuk i nevojiteshim. Unë tash jam kthyer në Rahovec. Siç kam dëgjuar shefi para pak ditësh e ka mbyllë krejt kafenenë sepse nuk kishte qarkullim dhe po punonte me humbje.” ka thënë Cena.

Sipas Odës Ekonomike Gjermano- Kosovare njëra nga gjetjet tjera në studimin e tyre është se 2948 punëtorë janë larguar nga puna vetëm në dy-tre javët e para të krizës me pandeminë.

Pra, kriza pandemike ka thelluar edhe krizën ekonomike dhe krizën shëndetësore në vend. Spitalet janë të mbushura përplotë me pacientë. Pronarët e biznesve po detyrohen t’i mbyllin ato. Punëtorët kanë filluar të mbesin të papunë. Kurse, Qeveria është në një krizë të thellë menaxhimi me të gjitha këto probleme. Se a do të dërgojë kjo krizë pandemike drejt krizës humanitare kjo mbetet të shihet në vazhdim. ///KosovoInsights