Messi dëshiron Neymarin në klub

Ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka shpjeguar përse Lionel Messi e dëshiron me ngulm kthimin e Neymarit në Barcelonë, si dhe ka thënë se do ta transferonte përsëri yllin brazilian nëse ende do të ishte në krye të klubit.

Rosell ishte president i Barçës kur Neymari iu bashkua klubit katalonas në vitin 2013. Braziliani gëzoi sukses të madh në Camp Nou, duke e fituar tripletën dhe duke i regjistruar 105 gola në 186 ndeshje.

Më 2017, Neymar u bë lojtari më i shtrenjtë në botë duke e braktisur Barcelonën për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit për 222 milionë euro.

Por kohët e fundit është përfolur vazhdimisht se ai dëshiron të kthehet në La Liga, sepse nuk thuhet të jetë plotësisht i kënaqur me jetën në Francë.

Edhe pse Real Madridi e ka për synim të sjellë në klub 28-vjeçarin dhe PSG-ja ka vullnet ta shesë atë pikërisht në kryeqytetin spanjoll për t’i nxjerrë paratë që i harxhoi në të, kthimi i tij në Barçë mbetet mundësi e vërtetë.

Rosell thotë se nuk do të ngurronte aspak për ta kthyer brazilianin në klub, nëse do të ulej ende në karrigen kryesore në Camp Nou.