Ministri Abdixhiku nuk ishte koordinuar as me Ministrinë e Punëve të Jashtme, për lejen e dhënë Behxhet Pacollit

Në Qendrën Operative të Kosovës nuk ka ardhur asnjë kërkesë për fluturimin e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, ka bërë të ditur të hënën shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm, Kreshnik Ahmeti.Ahmeti ka thënë për Kohën se paraqitja e kërkesave të tilla në këtë qendër, që përbëhet nga Ministria e Jashtme, ajo e Shëndetësisë, MPB-ja dhe ministria e Infrastrukturës, ka ndodhur për të gjitha rastet tjera deri më tani.

“Unë jam pjesë e të gjitha komunikimeve për kthimet e qytetarëve dhe mund të them që kërkesa për z. Pacolli nuk është adresuar në Qendren Operative ashtu siç do të duhej. Në rast se është e vërtetë që është dhënë pëlqimi për fluturimin, atëherë kjo do të ishte shkelje e procedurave të cilat i kemi vendosur për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka sqaruar edhe mënyrën e funksionimit të kësaj qendre. Ka thënë se Ministria e Jashtme është në komunikim të vazhdueshëm me Qendrën Operative, ku bëjnë pjesë edhe Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit.

“Të gjitha kërkesat për kthim në Republikën e Kosovës administrohen nëpërmjet Ambasadave tona dhe adresohen në Qendrën Operative në fjalë”, ka treguar ai.

Sa iu përket kthimeve të mëhershme të qytetarëve, por edhe lejeve për kthime individuale në rastet emergjente, ato, si ka thënë Ahmeti, janë bërë “pas adresimit të kërkesës tek Qendra Operative dhe pas dhënies së lejes nga Ministria e Shëndetësisë”.

“Pastaj, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit e ka koordinuar dhe ka dhënë pëlqimin për fluturimin drejt Republikës së Kosovës. Pra, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, pa lejen e MSh në Kosovë nuk mund të hyjë asnjë person”, ka thënë ai.