Ministri Bislimi: Çdo tendencë për të ndryshuar pakon emergjente do të jetë e dëmshme

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi thotë se pako emergjente që e kanë miratuar ka marrë notë të lartë prej çdo institucioni financiar ndërkombëtar. Për këtë thekson se çdo tendencë që kjo pako të ndryshohet nga qeveria e ardhshme do të sjell dëme.

Ministri Bislimi në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse dyfishohen ndihmat mund të krijohet një qetësi për një muaj, por më pas, sipas tij, mund të vijë ‘eksplodimi’, rrezikimi i stabilitetit makro-financiar.

“Qeveria që vije, në rast se vendoset me u shkel Kushtetuta dhe me ardhë me një qeveri të improvizuar fillimisht duhet me marrë vendim. A duan të vazhdojnë me këtë pako apo duan ta modifikojnë. Çdo tendencë për modifikim jep pakënaqësi të mëdha. Me garancë të plotë nuk mundet me garantu pako më të mirë dhe realizueshme. Por mund të sjell vetëm dëme për arsye se një pjesë e madhe e mbështetësve ndërkombëtarë e kanë kushtëzuar me stabilitetin qeverisës. Ata na kanë thanë qartazi po iu ndihmojmë përtej mundësive sepse kemi besim në këtë qeveri, nuk kishte ndodhë nëse kishte me qenë një qeveri tjetër…pako që kemi dizajnuar ne, ka marrë notë të lartë prej çdo institucioni financiar ndërkombëtar. Prej çdo ambasade, 22 sosh sa i kemi taku… Mundet me ardhë një qeveri që thotë se e vetmja mënyrë për të blerë ose korruptuar qytetarin është duke iu dyfishuar ndihmat. Brenda një muaji mund të krijojë një qetësi, mirëpo, pastaj vije eksplodimi”, u shpreh Bislimi.

Ai bëri të ditur se të gjitha aplikimet për ndihma qeveritare do të verifikohen dhe nëse kërkesat e tyre aprovohen, në fund të prillit do t’iu barten mjetet financiare.

“Aplikimet nuk bëhen një për një. Nuk mundesh sot me bërë kërkesën dhe me prit përgjigjën nesër. Është i formuar komisioni, komisioni i trajton gjitha kërkesat. Këta 60 mijë kanë ardhë deri sot, trajtohen. Momentin që përfundon me këta fillon faza e dytë ku trajtohen ata që vijnë pas ditës sotme. Mirëpo po them kohë ka të mjaftueshme. Në qoftë se trajtimi i kërkesës dhe aprovimi është bërë para fundit të muajit prill atëherë këta përfitojnë bashkë me pagën e muajit prill në sektorin privat… Vetëm duhet me dokumentu se cila është ajo hapësirë që ka quar deri te humbja e të hyrave në biznes. Ka edhe biznese të cilat nuk janë dëmtuar, por ka vonesa të pagesave. por prapë atyre iu ndihmojnë me paga dhe mund të aplikojnë”, thotë ai.

Duke folur për mundësinë që të zvogëlohen pagat e sektorit publik për shkak të krizës ekonomike që po sjell pandemia, Bislimi thotë se për momentin nuk ka iniciativa të tilla.

“Për momentin nuk ka iniciativa të tilla, as analiza as vendime. Mirëpo ideja ka qenë në qoftë se kriza vazhdon, për atë periudhë të krizës duhet ndoshta me shiku, kjo ka qenë kërkesë edhe e komitetit të biznesit që pagat e sektorit publik të harmonizohen me ato privat…edhe atëherë kur është thënë se nëse kriza vazhdon duhet me ndërhyrë se shtjerrën mjetet. Është thënë se nëse ka nevojë me ndërhy duhet me fillu nga niveli i lartë i ministrave. Por asnjëherë mos me u prek komponenta e sigurisë dhe shëndetësisë se ata janë në front të parë”, thotë ai.

Krahas pakos emergjente, ministri në detyrë i Financave thotë se pasi të tejkalohet pandemia Covid 19, do të fillohet me pakon e dytë të rimëkëmbjes ekonomike.

“Tash pakoja e rimëkëmbjes ekonomike nuk mundet me u dizajnu për aq kohë sa kriza zgjatë, ajo pako nënkupton se kriza ka përfunduar, jemi në fazën e tranzicionit dhe tani synojmë t’i zbatojmë ato masa që mundësojnë një rikuperim të shpejtë të ekonomisë. Dhe po, duhet të përfundoj kriza për me fillu rikupërimi….Shifra e saj varet nga dy varibala demi i kalkuluar që është bërë ekonomisë dhe multiplikatori ekonomik dhe varësisht nga kjo nuk e dimë a do të jetë 300 milionë a 600 milionë mirëpo është pako kryesisht monetare dhe implemetohet në masë të madhe përmes fondit monetar ndërkombëtar për garantimin e kredive në bashkëpunim me BQK-së”, thotë ai.

Pako emergjente e qeverisë në detyrë për t’i dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera për dy muaj në krizën e pandemisë, Covid-19 është rreth 179 milionë euro. Këtë pako e kanë vlerësuar si gjysmake partitë opozitare.