Ministri Sveçla ‘viziton’ sektorin e përgjimeve në Telekomin e Kosovës

Ushtruesi i detyrës së Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar një “vizitë” në sektorin e përgjimeve telefonike të Telekomit të Kosovës.

Këtë vizitë, Xhelal Sveçla e ka paralajmëruar në fillim të kësaj jave.

Përveç se nuk kishte paralajmëruar ardhjen e tij në objektin e Telekomit të Kosovës, Sveçla, gjatë “vizitës” së tij nuk ka takuar asnjë nga zyrtarët e kësaj kompanie publike.

Ai ka qëndruar për më shumë se një orë në njësinë e përgjimeve telefonike, që funksionon brenda Telekomit të Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tij në këtë njësi, Sveçla është interesuar për mënyrën e përgjimit të telefonave të personave të ndryshëm. – përcjell Kosovo Insights.

Kjo njësi është e autorizuar të vendos në përgjim të gjithë personat që janë nën hetime nga ana e organeve të rendit dhe drejtësisë.

Por, sipas rregullave, kjo njësi është e obliguar t’i përgjigjet vetëm urdhrave të Gjykatave në rastet kur i kërkohet të vendos dikë në përgjim apo ta përfundoj përgjimin telefonik të tyre.

Në asnjë rrethanë, sipas këtij burimi, njësia e përgjimeve telefonike nuk i përgjigjet Ministrisë së Brendshme dhe prania e zyrtarëve të saj në këtë njësi, sikur ajo e Xhelal Sveçlës, është e kundërligjshme.

Në të kaluarën, janë ngritur shqetësime në publik për disa raste të përgjimeve të paautorizuara.

Qeveria në detyrë e Kosovës, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, zyrtar i të cilës është edhe Xhelal Sveçla, që prej ardhjes në pushtet, në muajin shkurt të këtij viti, e ka ndërruar dy herë përbërjen e Bordit të Telekomit të Kosovës.

Ndërsa, Bordi i ri i përkohshëm i kësaj kompanie publike, vetëm disa orë pas emërimit, ka shkarkuar kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje.

Partitë politike opozitare, por edhe organizata të shoqërisë civile, kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për ndërhyrje në pavarësinë e kompanive publike përmes emërimeve të militantëve të saj nëpër Bordet e përkohshme.

Gjithashtu, Qeveria në detyrë e Kosovës është nën hetim nga Autoriteti i Konkurencës për thyerjen e rregullave të tregut të lirë në rastin e Telekomit të Kosovës, që përmes një vendimi, është kërkuar që asaj t’i mundësohet monopol për disa shërbime që ofron.//KosovoInsights