Ministrja e MEPTINIS: Nga pavarësimi energjetik, përfitimet do jenë deri në 9 milionë euro në vit

Ministrja e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, ka thënë se Kosova ka fituar pavarësinë energjetike me marrëveshjen e re të nënshkruar ndërmjet KOSTT dhe ENTSO. Nga ky pavarësim energjetik pritet që përfitimet e Kosovës të jenë mjaftë të mëdha. Ato do të jenë rreth 9 milionë euro për vit.

Në një intervistë televizive, znj.Hajdari ka folur edhe për humbjet që ka pasur Kosova gjatë kohës kur nuk ka qenë e pavarur ekonomikisht dhe për përfitimet që do t’i sjellë marrëveshja e re energjetike.

“Të hyrat vjetore mesatarisht sillen nga 4-9 milionë euro”. “Por, kemi pësuar edhe humbje të mëdha. Kostt nuk ka mundur të bëjë alokimin e kapaciteteve, kjo është bërë nga një kompani serbe, e cila ka fituar mbi 65 milionë euro. Këto të hyra ndryshojnë gjatë viteve. Kjo ka bërë që furnizuesit në Kosovë të paguajnë çmim më të lartë të energjisë”.

Vlerësohet se rreth 33 milionë euro i kishte humbur Kosova vetëm nga viti 2017 si rezultat i mungesës së pavarësisë ekonomike.

“Nga shkurti i vitit 2017 deri në ditët e sotme kemi rreth 33 milionë euro, e këto do të shmangen. Kjo i bie pavarësim i energjisë së Kosovës dhe lidhja me bllokun Kosovë-Shqipëri. Është një proces ndër vite, nga ekipa shumë profesionale nga KOSTT, por fatkeqësisht kjo ka pasur përkrahje ndërkombëtare, por jo edhe të politikës. Këtë ma kanë vërtetuar edhe gojarisht, duke më thënë se nuk kanë pasur përkrahje aq sa duhej”, ka thënë Hajdari.

Ministrja Hajdari u ka premtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës se së shpejti do të nisë edhe inkasimi për pjesën e veriut të Kosovës. Siç ishte deklaruar më parë edhe kryeministri i vendit se serbët e veriut do të paguajnë energjinë elektrike, njëjtë pohoi edhe ministrja.

“Në veri, e dimë se KEDS ka një licencë për gjithë territorin e Kosovës. Jemi në një bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët që të kemi një plan më dinamik që të zgjidhim çështjen e pagesave në veri. Njëra prej mundësive është që të bashkëpunojmë me ministrin e Pushtetit Lokal. Në komunat në veri duhet t’iu mundësojmë që të kenë postën deri në ora 22:00 dhe kjo do të ndihmojë në inkasimet për KEDS, mendoj se kjo është zgjidhja por vetëm duhet të ulemi me këtë plan konkret”, ka thënë Hajdari, në intervistën e realizuar në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka shtuar edhe se qytetarët serbë paguajnë energji elektrike por, jo në Republikën e Kosovës.

“Ne duhet të shfrytëzojmë këtë momentum të mirë që kemi, dhe të ofrojmë në bashkëpunim më të afërm me Qeverinë e Kosovës. Ata s’është që nuk kanë paguar, por i kanë paguar dikujt tjetër”. //Kosovo Insights