Në Kosovë mund të ketë vërshime të mëdha

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mundësi të vërshimeve.

Përmes njoftimit në Facebook, është parashikuar që të ketë vërshime qysh sot nga ora 12:00. Rrjedha e sipërme e lumit Llap dhe zona e Prishtinës me rrethinë dhe pjesa veriore dhe lindore e Kosovës, janë atë që mund të preken.

“Pika më e hershme e parashikuar: e martë, 23 Qershor 2020 – 12:00; Përqindja e zonës së prekur të ndjeshme ndaj rrëshqitjeve të dheut: shumë e lartë: 43%, lartë: 34%, moderuar: 12%; Data e parashikimit: 2020-06-23. 08 UTC; “duke treguar një probabilitet të lartë të reshjeve ekstreme dhe përmbytjeve të mundshme”, thuhet në parashikimin e tyre.

Tutje theksohet se reshjet të cilat kanë filluar me intensitet më të lartë gjatë orëve të mëngjesit të datës 23/06/2020, do të vazhdojnë edhe gjatë ditës me intensitet të ndryshuar, të cilat në disa zona do të paraqesin mundësi për paraqitje të vërshimeve të shpejta, siç janë rrjedha e sipërme e lumit Llap, zona e Prishtinës me rrethinë dhe pjesa veriore dhe lindore e Kosovës.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka publikuar edhe numrin e urgjencës, për ata që kanë nevojë.

“Sipas të dhënave të Institutit Meteorologjik dhe duke u bazuar në situatën në shtetet fqinje ju informojmë se sot në regjionin e Prishtinës do të ketë vërshime. Për shkak të situatës në liqene, të reshurat janë të mirëseardhura por në kohë të shkurtë mund të na shkaktojnë dëme materiale. Për çfarëdo urgjence lajmëroni në 080012233!”, ka shkruar Ahmeti.