Nga sot zyrtarisht Partitë politike nisin fushatën pesëditore për të parin e Komunës së Podujevës

Duke filluar nga sot zyrtarisht Partitë politike nisin fushatën pesëditore për të parin e Komunës së Podujevës, transmeton “Kosovo Insights”.

Në garë janë tre kandidatë: Nexhmi Rudari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Naim Fetahu i Partisë Demokratike të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte vendosur që fushata për zgjedhjet lokale në Podujevë të fillojë më 23 nëntor dhe të zgjasë deri më 27 nëntor.

Derisa votimet për Podujevë mbahen pasi që kryetari i kësaj komune Agim Veliu u emërua në postin e ministrit të Brendshëm të Qeverisë së Kosovës, ato ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të pandemisë me koronavirus ato u shtynë për 29 nëntor, kur do të votohet edhe për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

KQZ ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore, në të cilat kufiri i sipërm i shpenzimeve për subjektet politike në Komunën e Podujevës është 43.931 euro. Ky vendim mbështetet në listën preliminare të regjistrit civil sipas të cilit në këtë komunë numri i votuesve të regjistruar është 87.863 votues.//Kosovo Insights