Pa asnjë ditë përvojë pune, djali i Haxhi Shalës është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë

Pazari i mesnatës së 3 qershorit mes presidentit Thaçi, kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinaj dhe deputetit Haxhi Shala, pas të cilit ky i fundit ndryshoi qëndrim duke dhënë votën për qeverinë Hoti, është zbardhur, transmeton “Kosovo Insights”.

Sipas mediave, Haxhi Shalës ia kanë shpërblyer djalin me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci: Pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm, Flakron Shala është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë.

Ramush Haradinaj i rekomandon presidentit ta dekretojë djalin e deputetit, në shkresën dërguar presidentit me datë 28 shtator.

“Duke shprehur konsideratën më të lartë për ju dhe punën tuaj, në bazë të nenit 84 (paragrafi 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 2 (paragrafi 7.10) të Ligjit Nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, ju drejtohem për të dhënë rekomandimin për emërimin e z. Flakron Shala, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë/Republika e Çekisë”, shkruan në letrën e Haradinaj dërguar Thaçit.

Derisa me datën 20 tetor, ish-presidenti Thaçi e firmos dekretin nëpërmjet të cilit obligon ministrinë t’i ndërmarrë veprimet për zbatimin e tij.

Lidhur me këtë ka reaguar Ish-ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook , duke thënë se nuk ka vend për t’u habitur për dështimet e diplomacisë kosovare.

“Dhe habitemi pse vite më pas diplomacia serbe rrotullon historinë e fundit me ne”, ka thënë ai.

“Shënim për gjithë të shkolluarit e shkretë, vajzat e djemtë më t’zot të shtetit, që ëndërrojnë t’i shërbejnë vendit me nder”.//Kosovo Insights