Pacollit nuk i lejohet të ateroj në Kosovë

Lidhur me fluturimin e tij nga Zvicra për në Kosovë ka reaguar vet Behgjet Pacolli.

Pacolli e quan tronditëse faktin se s’po lejohet të vijë në Kosovë, mbi të gjitha, thotë ai, është shëndeti i tij që rrezikohet.

“Është tronditëse kjo që po ndodh me mua! Pas dy muajsh karantinimi së bashku me familjen time në Zvicër, nën asistencën shëndetësore, diçka që ua dëshmova me dokumente, më pengojnë të vij në Kosovë! Jam unë që rrezikoj duke ardhur në vendin tim nga Zvicra, një sistem kujdesi shëndetësor i përparuar, por dua të respektoj votën e qytetarit për mua!”, shkruan Pacolli.

Pacolli, tutje përmes një reagimi thotë se “Kjo qeveri sot në mënyrë primitive, diktatoriale, më privon të kthehem ne vendin tim!”.

“Më pengon të zhvilloj veprimtarinë time parlamentare në shërbim të Atdheut tim! Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet ndërkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie! Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët! Kush jeni ju që paragjykoni veprimtarinë time parlamentare? Kush jeni ju që paragjykoni votën time? Po nëse unë do ta shpallja publikisht se do t votoja pro jush- a do të më pengonit? Jo, nuk e besoj! Ju kam votuar duke besuar tek rotacioni, tek energjia e re e votuesve tuaj, tek nevoja për ndryshim, por kjo që po ndodh ndaj meje, është zhgënjyese! Kjo është përgjigjja ndaj sjelljeve të mia ndaj jush!”, përfundon reagimin Pacolli.