Pas skandalit të mbi 2 milionë eurove drejtori i Thesarit po e mendon dorëheqjen!

Pas transferit ilegal të mbi 2 milionë eurove nga Thesari, në një kompani private, drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, thotë se e ka menduar mundësinë e dorëheqjes nga ky post.

“E kam menduar dhe jam jashtëzakonisht i thyer pas rastit”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se pas zbardhjes së rastit, do ta shqyrtojë qëndrimin e tij në pozitën e udhëheqësit të Thesarit.

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera.

Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.

261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala

Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës.//KosovoInsights