Për zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit ekspertët zviceranë vijnë në Kosovë

Për të marrë pjesë në punën e planifikuar me ekspertët e Qendres Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Zvicër- Lausanne, me datë 22 dhe 23 tetor, ku pritet të sqarohen lidhur me ekspertizat e tyre të datës 14 qershor 2019 dhe 9 shtator 2019 në lidhje me rastin Dehari, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka publikuar një ftesë nga Prokuroria Speciale për t’u paraqitur në lokalet e policisë në Prishtinë.

Sipas Gashit, është bërë rikonstruktimi i vendit të ngjarjes ku ka vdekur ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ishte i dyshuar për sulm terrorist mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Ne nuk dijmë çka ka bërë Prokuroria dhe të tjerët në qelinë A3, ku e mbajtën 78 ditë Astritin pa e marrë në pyetje asnjëherë zyrtarisht.!?”, ka shkruar Gashi, në llogarinë e tij në Facebook.

Kujtojmë se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 derisa ishte duke u mbajtur si i paraburgosur.//KosovoInsights