Përcaktohen pikat për një protestë të mundshme

FOTO LAJM

Organizata ORCA ka përcaktuar pikat për një protestë të mundshme. Organizata në fjalë ka publikuar një status në rrjetin social Facebook ku ka shkurar për një protestë të mundshme në sheshin Skenderbeu. 

Shkrimi i plotë i Organizatës ORCA :

Jeta në situatën e pandemisë dhe pas saj duhet të përshtatet në të gjitha fushat. Sot, disa organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë të pavarur zhvilluan aksionin simbolik të përcaktimit të pikave për protestuesit e mundshëm në situatë pandemie. Përmes këtij aksioni, aktivistët shënjuan 448 pika për 448 protestues të mundshëm në hapësirën para Teatrit Kombëtar për të demonstruar një mënyrë të mundshme të zhvillimit të një proteste në situatë pandemie, duke respektuar distancën sociale dhe masat tjera që mbrojnë shëndetin tonë publik.

Ashtu siç është me rëndësi të ushqyerit për jetesën tonë, me ç’rast institucionet kanë nxjerrë rregulla se si duhet të blejmë e të furnizohemi me ushqim, në po atë masë është e rëndësishme demokracia për jetën tonë socio-politike. E demokracia nuk nënkupton vetëm zgjedhje një herë në katër vjet, por edhe të drejtën e qytetarëve për demokraci pjesëmarrëse përmes lirisë për asocim, pra lirisë për tubim publik, të garantuar me ligjet në fuqi, me konventat ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Përmes këtij aksioni simbolik ne kërkojmë nga institucionet relevante definim të rregullave të protestimit në përputhje me situatën në të cilën ndodhemi, pra të vendosin kufizime që ruajnë shëndetin publik siç janë distancat mes protestuesve të mundshëm, mbajtja e maskave dhe dorëzave, por që e mundësojnë ushtrimin e të drejtës për tubim publik të garantuar me ligje dhe me Kushtetutë.

Ne mbesim të përkushtuar si aktivistë që të gjejmë mënyra të reja për të zhvilluar demokracinë, mjetet e saj dhe për t’i avancuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës edhe në kohë pandemie.

Organizatat dhe aktivistët e përfshirë në aksion:
ADMOVERE
Integra
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist
ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim
Trina Binaku
Gentiana Mehmeti
Alora Hyseni
Durim Jasharaj
Indrit Ferati
Rinor Mehmeti
Paris Guri
Roni Idrizaj
Agon Rexhepi
Adelina Tërshani

//KosovoInsights