Përfaqësues të UP-së preferojnë që afati i provimeve të qershorit të mbahet në fakultete

Prorektori për mësim dhe çështje për studentë në Universitetin e Prishtinës, Hysen Bytyqi tha se nuk kanë pasur ndonjë vendim nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket mbajtjes së provimeve të afatit të qershorit në njësitë akademike.

Bytyqi tha se UP-ja gjithsesi do të preferonte që të zbatohej faza e tretë e cila fillon nga 1 qershori, e paraparë në masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, ku edhe parashihet që të mbahen provimet në Arsimin e Lartë.

Për shkak të pandemisë COVID-19, në Universitetin e Prishtinës është pezulluar procesi mësimor dhe provimet për afatin e jashtëzakonshëm të muajit prill nuk janë mbajtur.

Por për afatin e qershorit, po planifikohet që provimet të mbahen në formë online nëse stafi akademik dhe studentët nuk do të mund të kthehen në njësitë përkatëse akademike.

Prorektori i UP-së, Hysen Bytyqi tha se deri më tani nuk kanë diçka konkrete nga MSH-ja sa i përket mbajtjes së provimeve për afatin e rregullt të qershorit dhe po presin që të zbatohet faza e tretë e masave të vendosura nga MSH-ja

“E para e punës është se nuk kemi diçka konkrete prej Ministrisë së Shëndetësisë, por faza e tretë që fillon me datë 1 qershor, ku parashihen që mund të mbahen provimet, por se a do të ndodhë kjo apo jo, me siguri do të ketë vendim qeveritar për këtë”, ka thënë Bytyqi.

Ai u shpreh se Universiteti “Hasan Prishtina” do të preferonte variantin e parë që stafi akademik dhe studentët të mbajnë provimet në njësitë akademike.

“UP’ja do ta preferonte variantin e parë që ne të kthehemi në njësitë akademike tona dhe provimet të mbahen në mënyrë fizike kjo është e dëshirueshme nga studentët dhe nga ne”, tha ai për Express.

Tutje, Bytyqi shtoi se nëse afati i qershorit nuk do të jetë e mundur të organizohet në objektet akademike atëherë provimet do të organizohen në formë digjitale.

“Nëse kjo nuk do të na mundësohet nga MSH-ja atëherë provimet e qershorit do të mbahen online dhe karshi situatës UP-ja edhe do të organizoj mbajtjen e provimeve, por ne patjetër duhet të startojmë në formën online”, shtoi ai.

Ai tha se sipas rregullores së UP-së provimet e afatit të qershorit fillojnë më 1 qershor dhe mbarojnë me 30 qershor, por për shkak të pandemisë, kjo do të shtyhet deri më 20 korrik.

“Provimet fillojnë prej 1 qershorit sipas rregullores, por për shkak të pandemisë ne këtë herë kemi lënë fleksibilitet tek njësitë akademike, disa prej tyre në pjesën e parë të qershorit do të mbajnë disa provime të praktikës dhe atyre laboratorike. Por provimet duhet të përfundojnë deri më 20 korrik”, tha Bytyqi.

Vendimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë të cilat kanë hyrë në fuqi nga data 4 maj 2020, parashihen të zhvillohen në tri faza.

Faza e parë nga data 4 maj deri më 18 maj, faza e dytë nga data 18 maj deri më 1 qershor.

Ndërkaq faza e tretë fillon data 1 qershor, ku mes tjerave parashihen të mbahen edhe provimet në arsimin e lartë konform rregullave të vendosura me protokollin epidemiologjik.

Shefi i Kabinetit të Ministres në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami, Lulzim Krasniqi i tha Gazetës Express se UP-ja ka autonomi të plotë sa i përket çështjes së mbajtjes së afatit të qershorit në njësitë akademike apo në formatin online, dhe se MASHTI nuk interferon në këtë. //KosovoInsights