Përfundimisht Qeveria Hoti do të rrëzohet me mocionin e mosbesimit

Qeveria Hoti i ka ditët e numëruara në pushtet, pasi gjatë javëve vijuese, do të riaktivizohet mocioni i mosbesimit ndaj ekzekutivit, transmeton “Kosovo Insights”.

Lajmin e ka bërë të ditur deputetetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, sipas të cilës ka deputetë të mjaftueshëm për të ftuar seancën, e më pas votuar pro shkarkimit të kryeministrit Avdullah Hoti.

“Natyrisht se mbetet aktuale kërkesa jonë për mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e qeverisë apo mosbesimin e Qeverisë Hoti. Por do të rishikohet në javët në vijim ripozicionimi ynë si Grup Parlamentar, në kuptimin e organizimit dhe marrjes së mbështetjes dhe nga deputetë të tjerë të gatshëm për të rrëzuar Qeverinë Hoti. […] Nuk mund të mohoj, as pohoj në këtë moment dhe këto rrethana. Por besoj që mund të ketë mjaftueshëm deputetë të shumicës shqiptare, por edhe pakicave të tjera për të ftuar seancën fillimisht, e më pastaj për të votuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Hoti. Po mendoj se kur arrihet ajo pikë mund të mbeten vetëm disa deputetë të LDK-së që do të mbështetin këtë qeveri, ashtu siç po shihet dallimet po thellohet edhe ndërmjet partnerëve qeverisës, por edhe partitë që e kanë mbështetur”, ka deklaruar Kusari për kp.

Sipas Kusarit, zgjidhja e vetme për rrethanat aktuale politike janë zgjedhjet, duke u bazuar edhe në mungesën e numrave të koalicionit qeverisës në Kuvend dhe dështimin e miratimit të Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.//Kosovo Insights