Përfundon një deputet në burg. Qeveria Hoti mbetet pakicë me 60 vota

Deputeti Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale mashtrim me subvencione, sot do të shkojë për vuajtje të dënimit.

Mirlinda Gashi ka thënë se Etem Arifi ka kërkuar përsëri nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të dënimit por kërkësa i ishte refuzuar si e pabazuar më 24 qershor.

Deputeti i dënuar Etem Arifi është dashur që më 9 mars të shkonte për vuajtje të dënimit prej 1 viti e 3 muaj mirëpo kishte paraqitur kërkesë me të cilën kisht shtyrë ekzekutimin e dënimit për 2 muaj.

Mosshkuarja për vuajtje të dënimit të dënuarit Arifi i mundësoi që të votonte për mosbesimin e Qeverisë Kurti.

Etem Arifi dhe i akuzuari tjetër Bajram Gashi, më 20 prill 2018 janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin, dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove. Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje. //KosovoInsights