Përfundon seanca dëgjimore për interpretimin e ligjshmërisë së votës së Etem Arifit

Seanca dëgjimore për interpretimin e ligjshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi në ditën e votimit të Qeverisë në krye me Avdullah Hotin, ka përfunduar, derisa Kryetarja e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi, ka njoftuar se palët kanë kohë deri me datë 7 dhjetor të përcjellin me shkrim argumentet që janë dhënë sot.

“Palët kanë mundësi që argumentet që i kanë prezantuar t’i dorëzojnë edhe me shkrim pranë Gjykatës, nuk janë të obliguar por mund ta bëjnë deri me datën 7 dhjetor, këto argumente që janë adresuar sot. Ne sot e kemi pranuar një shkresë nga avokati Berisha përmes emailit ku ka dërguar një përmbledhje vetëm që të jemi të qartë. Ajo është përmbledhje e argumenteve të sotme”, ka deklaruar Rama-Hajrizi.

Kryetarja e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi, theksoi se tash Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet edhe në ditët në vijim do të mblidhet në seancën për këshillim dhe votim ku do të vendosë për çështjen, Palët do të informohen me kohë.

“Për njoftim do të njoftohen palët dhe publiku. Tash Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet edhe në ditët në vijim do të mblidhet në seancën për këshillim dhe votim ku do të vendosë për çështjen, Palët do të informohen me kohë”, potencoi ajo.//Kosovo Insights