Edhe “RTK live” bëhet pjesë e FakeNews, megjithatë përgenjështrohet

Një gënjeshtër mediale ka qarkulluar sot gjatë ditës nga portale lokale. Pjesë e Fakenews është bërë edhe portali RTK live, portal ky që financohet nga buxheti i shtetit. Lajmi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Thaçit në rastin kur ka bërë thirrje për padëgjueshmëri publike po del të jetë i pavërtetë. 

Ky lajm po del të jetë një gënjeshtër pasiqë Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur akoma në lidhje me kërkesën e deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të Presidentit Thaçi.

Ky lajm është demantuar gjatë ditës nga zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, z. Veton Vula. Ai ka thënë se lajmi i cili ka dal në media nuk është i vërtetë, sepse Kushtetuesja nuk ka marrë vendim ende për këtë çështje.

“Nuk është i vërtet ai lajmi që është dalë në media, Gjykata nuk ka vendosur akoma për këtë kërkesë dhe se rasti është duke u trajtuar dhe i është dërguar deputeteve për komente”, ka thënë Vula.

Ju kujtojmë që Thaçi para disa ditësh në një konferencë për media të thirrur pak para mesnatës, kishte ftuar qytetarët për padëgjueshmëri publike dhe për mosrespektim të masave të vëna nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Njohësit e Kushtetutës e kishin cilësuar si shkelje flagrante të Kushtetutës, këtë deklaratë publike të presidentit të vendit. Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani kishte thënë se ““Sjellja e Presidentit te Republikës sot është tërësisht antikushtetuese dhe nën çdo nivel  të postit që e mban. Nuk ka të drejtë Presidenti i vendit me bo thirrje për rezistencë.” //KosovoInsights