Polemika mbi vendosjen e shtatores së Anton Çetës

Sot, Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbledhjen e mbajtur online si shkak i pandemisë, në njërën nga pikat ka vendosur që shtatoren e aktivistit për pajtimin e gjaqeve ta vendos në Kampusin Universitar përkatësisht në pjesën ku gjendet Fakulteti Filologjik.

Me miratimin edhe të familjes së Anton Çetes, shtatorja e plakut të urtë i cili bëri pajtimin e gjaqeve do të vendoset në oborrin e Fakultetit Filologjik.

Mirëpo, me këtë vendim nuk janë pajtuar gazetari Rilind Gërvalla dhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Veron Hasani.

Gazetari Gërvalla ka thënë se vendi adekuat për tu vendosur kjo shtatore është në sheshin “Nëna Terezë” tek Ministria e Kulturës.

“Komuna e Prishtines paska mare vendim qe te vendoset shtatorja e Anton Cettes tek Fakulteti Filologjik. Mendoj se kane bere gabim per lokacionin! Vendi adekuat ka qene tek Ministria e Kultures, mu aty ne Shesh ku eshte nje hapesire e gjelberuar para dyerve, aty ku supozohet te vendoset presidenca, por shtatorja e Antonit dikujt i paska penguar te jete ne shesh. Nuk vendosen shtatoret veq ti hedhin diku-kudo. Duhet te kete edhe simboliken por edhe qellimin, gjithashtu duhet te kete nje tabele qe pershkruan biografine.
Shume jemi vonuar si komb ta nderojme kete patriot!” ka shkruar në reagimin e tij Gërvalla, raporton KosovoInsights.

Ndërsa, Hasani ka thënë se vendi ku do të duhej të vendosej shtatorja duhet të ishte Fusha e Pajtimit e cila gjendet në lagjen Medrese të Prishtinës. Ai ka hedhur kritika se kjo hapësirë ka mbetur deponi e mbeturinave që nga koha kur në Prishtinë qeveriste LDK.

KosovoInsights sjellë reagimin e plotë të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje:

“Për hirë të kombit, të qoftë falë gjaku i familjarit”

Atë që dikur shkrimtari Adem Demaçi e kishte nisur me romanin e tij “Gjarpinjt e gjakut” në vitet e 50-ta, e kishte konkretizuar plaku i urtë Anton Çeta në vitet e 90-ta, me pajtimin e qindra gjaqeve anembanë Kosovës.

Ideja e propozuar nga ana ime ishte që shtatorja e Anton Çetes të vendosej në Fushën e Pajtimit, pra në lagjen Medrese, aty ku u mblodhën mijëra qytetarë e u falën qindra gjaqe.

Mirëpo, Fusha e Pajtimit e cila duhet të bëhej park i madh për qytetarët ka mbetur ende deponi e mbeturinave që nga koha e LDK-së. Ne u kishim premtuar qytetarëve të Medreses se Fushën e Pajtimit do ta bënim park, megjithatë ky premtim nuk u realizua nga Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Tash qenka marrë vendim që kjo shtatore të vendoset tek Kampusi Universitar, me miratimin edhe të familjes Çeta.” ka thënë Veron Hasani.