Policia e ndal djalin që donte të hidhej nga ura

Njësia patrulluese e autostradave të Kosovës, sot rreth orës 13:00 ka ndalur një tentim vetëvrasje në autostradën Trudë-Mazgit, në urën e autostradës në fshatin Bardhosh.

Policia ka njoftuar se njësiti patrullues kanë vërejtur një djalosh që ishte duke tentuar të hidhet nga ura.

Zyrtarët policorë: rreshteri B.B., dhe zyrtari policor Sh.D., menjëherë kanë filluar intervenimin.

Në vend-ngjarje, pos të riut që ishte në tentativë që të hidhej, në shoqëri me të ishin edhe dy të mitur që e mbanin me forcë personin që të mos hidhej.

Më pas, sipas njoftimit, policët duke përdorur metoda të komunikimit nga distanca dhe duke iu afruar me kujdes personit në fjalë, arrijnë të kalojnë pengesat e autostradës, ta mbajnë me komunikim derisa i afrohen dhe e marrin nën kontroll.

Njësiti i autostradës ka ftuar policët e rendit nga Stacioni Policor ‘Veriu” Prishtinë që të vijnë në vend-ngjarje dhe të vazhdojnë ta trajtojnë rastin.

Aty, më pas ka ardhur edhe babai i personit që kishte tentuar të hidhej nga ura.

I riu më pas është shoqëruar për në Qendrën Psikiatrike të QKUK-së dhe po ashtu policia ka njoftuar edhe Qendrën për Punë Sociale.

Rasti është në trajtim nga institucionet përkatëse.

Policia, apelon të gjithë ata që kanë informata apo janë dëshmitarë të rasteve të tilla të thërrasin në numrin 192, në mënyrë që parandalohen raste të tilla. //KosovoInsights