Policia: Protestat në pandemi lejohen duke respektuar masat e MSH-së

Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës ka thënë se çfarëdo proteste që organizohet në kohë pandemie duhet të mbahet duke respektuar masat për distancë dy metra nga njëri person te tjetri dhe të gjithë pjesëmarrësit duhet të kenë të drejtën e daljes sipas kohës së përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Një ditë pasi aktivistë të grupit “mekryeministrin” bënë “prova” për protesta, Policia ka thënë se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor. Policia ka thënë se ligji përcakton që lajmërimi duhet të bëhet më së voni 72 orë para mbajtjes së tubimit. Për rastet e fundit ka thënë se s’ka pasur lajmërim nga organizatorët.

“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor gjë që nuk ka ndodhur me tubimet/manifestimet e fundit. Ligji për tubimet publike përcakton se lajmërimi i tubimeve publike duhet të bëhet më së voni shtatëdhjetë e dy (72) orë para se të mbahet tubimi i qetë publik. Legjislacioni në fuqi rregullon çështjen e mbajtjes së tubimeve publike, duke përcaktuar edhe kufizime apo ndalesat, nëse tubimet publike rrezikojnë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, sa i përket lirisë, dhe të drejtave të njerëzve të tjerë, moralit dhe shëndetit publik”, thuhet në sqarimin e Policisë.

Në njoftimin e Policisë theksohet se organizatorët e tubimeve publike duhet të sigurohen që pjesëmarrësit respektojnë masat e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Për shkak të gjendjes së krijuar në vendin tonë nga pandemia COVID-19, Ministria e Shëndetësisë në konsultim me Institutin Kombëtar për shëndet publik kanë vendosur disa masa mbrojtëse dhe kufizim të lëvizjes për banorët e Kosovës. Duke u bazuar në këto vendime organizatorët e tubimeve publike duhet që të sigurohen që pjesëmarrësit e tubimeve publike gjatë tërë kohës së tubimit të kenë masat mbrojtëse, mbajnë distancën nga njëri tjetri (2 metra) si dhe të kenë të drejtën e daljes sipas kohës së përcaktuar ( dy herë nga 90 min, i lejuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit)”, thuhet tutje në njoftim.

“Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi zyrtar, ka për qëllim ti informojë opinionin publik, që përveç rolit në zbatimin e ligjit, në funksion ka për implementim planin e gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus-it të ri COVID-19, që parasheh masa shtesë në interes të ruajtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të përhapjes së pandemisë”, përfundon komunikata.

Prova e së martës është pasuar nga paralajmërimet për një “provë” edhe më të madhe, me 1.500 veta. //KosovoInsights