Presidenti ​Thaçi në Ditën Botërore të Refugjatëve kujton spastrimin etnik të shqiptarëve

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se e kujton spastrimin etnik të bërë në Kosovë nga forcat ushtarake serbe.

Në një status në Facebook, ai ka shkruar se në këtë ditë përkujtohet e kaluara e hidhur e popullit të Kosovës.

“Me dhimbje kujtojmë spastrimin etnik, ku forcat policore dhe ushtarake serbe dëbuan dhunshëm mbi 1 milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre. Jemi krenarë që i përballuam me dinjitet ato vite të vështira dhe përherë do u jemi mirënjohës të gjithë atyre që na mbështetën dhe na u gjenden pranë. Si popull e dimë më së miri sa vështirë është të largohesh nga atdheu, prandaj sot solidarizohemi me të gjithë ata që janë refugjatë nëpër botë”, ka shkruar ai.

Thaçi ka shkruar se “në këtë ditë simbolike kujtojmë edhe qershorin e vitit 1999 kur qytetarët tanë u kthyen masivisht në atdheun e çliruar. Atdhedashuria e madhe e tyre ishte dëshmi e forcës së popullit dhe kombit tonë për t’u rimëkëmbur, duke nisur gjithçka nga fillimi”. //KosovoInsights