Prishtinë – Vdes edhe një person si pasojë e koronavirusit

Edhe një person ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit. Kjo gjë u bë e ditur nga QKUK, ku u theksua se pacienti ishte 70 vjeçar.

“Mbrëmë në Repartin e Mjekimit Intensiv të klinikës ka ndërruar jetë pacienti 70 vjeçar nga komuna e Vushtrrisë, i pranuar me 13.06.2020, i cili përveç infeksionit me Covid -19 kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese nga komuna e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Kësisoj numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Kosovë shkon në gjithsej 37.

Kosova vazhdon të përballet me virusin COVID-19, ku vetëm mbrëmë u konfirmuan 96 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në vend ka shkuar në 2 mijë e 169 persona, ku 1 mijë e 47 janë shëruar dhe numri aktiv i personave të infektuar është 1 mijë e 86.

Komunat më të prekura me koronaivrus tani për tani janë Prishtina, Vushtrria dhe Prizreni.