Prokuroria po nis hetimet mbi incidentin gjatë mbledhjes së Bordit të Telekomit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë që t’i nis hetimet lidhur me një incident që ka ndodhur më datën 24 prill të këtij viti, në Telekomin e Kosovës gjatë mbajtjes së mbledhjes së Bordit të Telekomit të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Njësia e Hetimeve Rajonale në Prishtinë – kanë përcjellë shënim zyrtar, nga Ministrja në detyrë e MEPTINIS, Rozeta Hajdari, lidhur me një incident që ka ndodhur më 24 prill në Telekomin e Kosovës gjatë mbajtjes së mbledhjes së Bordit të Telekomit të Kosovës.

Zyrtarja për Informim të Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka treguar se ministrja Hajdari e ka përpiluar një raport lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Bordit të Telekomit të mbajtur me datë 24 prill 2020.

“Ministrja në detyrë e ka përpiluar një raport njoftues lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e bordit, të cilin raport ia ka përcjellë Policisë përmes e-mailit të saj. Të njëjtin e-mail Polica e ka dërguar në Prokurori dhe tashmë kanë filluar hetimet”.

Ish-kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefin, thotë se ka publikuar një e-mail të ministres në fjalë, ku sipas tij, Hajdari iu ka bërë presion dhe shantazh zyrtarëve të lartë të Telekomit.

“Unë e kam publikuar e-mailin e ministres Rozeta Hajdari me datë 25 prill 2020, ku ajo iu adresohet me presion dhe shantazh zyrtarëve të lartë të Telekomit dhe në pozitën e ministres e përdorë autoritetin e saj në mënyrë të jashtëligjshme që të hapen zyrat e arkivit të Telekomit të Kosovës në mënyrë që t’i protokolojnë vendimet e jashtëligjshme që i kanë marrë në zyrat e saj me datë 24 prill 2020, ku merr vendim t’i shkarkojë zyrtarët e lartë të Telekomit”.

//KosovoInsights