Gjykata Speciale: Nuk ka asnjë pengesë që gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të fillojë në verën e vitit 2021

Prokurorja e Gjykatës Speciale në seancën për ecurinë e çështjes për ish-krerët e UÇK-së:Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ka deklaruar se procesi i hetimeve është në vazhdim e sipër, andaj mbrojtjes brenda tre javëve do t’u dorëzohet një vëllim i mjaftueshëm i materialeve, transmeton “Kosovo Insights”.

“Synojmë të ndjekim urdhërim e juaj për masa mbrojtëse. Mbrojtja ka informacion të bollshëm për të filluar hetimet menjëherë, ua kemi bërë të ditur afatin për nxjerrjen e materialeve. Mbrojtja është e njoftuar me çështjen dhe kjo nuk është befasi për ta”, ka theksuar prokurorja e Dhomave të Specializuara.

Sipas saj, për mendimin e ZPS-së, nuk ka asnjë pengesë që gjykimi të filloj në verën e vitit 2021.

Lidhur me këtë deklaratë, kanë reaguar edhe avokatët e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët kanë kërkuar që provat të nxirren më herët se afati 30 ditor, ndërsa Prokuroria ka thënë se s’është keq që afati të shtyhet edhe pak.

“Nxjerrja e dokumentacionit shihet si vënie në lëvizje e hetimeve… Në momentin që nxirret informacioni, mund të filloni menjëherë me hetimin tonë”, ka thënë David Hooper, avokat i Hashim Thaçit.

Kërkesë të njëjtë ka pasur edhe Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit. Ai ka kërkuar që materiali t’u ofrohet atyre në formën e duhur.

“Nëse nuk e marrim dokumentacionin në formën e duhur, do të vonohej çështja… Prokuroria ta bëjë një udhërrëfyes për planin”, ka thënë Emmerson.

“Përvoja tregon se realitetet nuk përkojnë me pritshmëritë dhe procedurat që paraqiten në fillim të seancës gjyqësore. Pozicioni ynë është të shohim se si ky plan do të fillojë të zbatohet dhe se sa i drejtë është ai”, ka thënë Emmerson.

Derisa, avokati i Rexhep Selimit ka thënë se Prokuroria duhet ta ketë parasysh madhësinë e materialit dhe të nisë sa më shpejt nxjerrjen e provave.//Kosovo Insights