Pse Veliu e mban sekret raportin për shkarkimin e Rashit Qalajt?

Nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, më 16 tetor të këtij viti, Rashit Qalaj u shkarkua, e arsyeja e shkarkimit, u përmend raporti i performancës.

Por, çfarë thuhet në këtë raport dhe pse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Kryeministrit po e mban të fshehtë?

Hoti, tha se vendimin për shkarkimin e Qalajt nga kjo pozitë e ka marrë pas raportit që ka pranuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, për performancën e tij.

“Në bazë të raportit të dorëzuar e kam liruar nga detyra drejtorin e policisë, raporti i performancës së ministrit thotë se Qalaj ka treguar performancë jo të kënaqshme në udhëheqje, në kontroll dhe mbikëqyrje të policisë, duke dështuar në përmbushje të detyrave, më tutje në raport theksohet se në planin zhvillimor 2016-2020 janë përcaktuar katër objektiva për të cilat ministri vlerëson se krimet e rënda nuk janë përmbushur”, ka thënë Hoti.

Pavarësisht arsyetimeve, raporti, në bazë të të cilit ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i propozoi kryeministrit Avdullah Hoti, shkarkimin e Rashit Qalajt nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, po mbahet i fshehtë.