Punëtorët e Shell Kosova për një muaj punë u paguajtën në vlera 10, 12 e 30 euro

Pas raportimeve të KosovoInsights për shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga biznesmeni Abrashi, reagojnë edhe punëtorët e Al-Petrolit

Pas raportimeve të djeshme të KosovoInsights se deputeti i AAK-së dhe njëherit biznesmeni Gazmend Abrashi po u shkelë të drejtat punëtorëve në rrjetin e marketeve Maxi të cilat janë në pronësi të Abrashit, në drejtim tonin ka ardhur një email nga punëtorët e Shell Staff Kosova.

Ata i kanë dërguar një ankesë Ministrisë së Financave dhe Inspektoriatit të Punës, ku tregojnë se Kompania Al-Petrol Shpk (Shell Kosova) po u shkelë të drejtat elementare dhe se po tentohet që të përvetësohen mjetet e tyre nga ana e kompanisë në fjalë. Ankesa është bërë sot me datën 07.05.2020, menjëherë pas raportimit të KosovoInsights për rastin Abrashi.

Punonjësit tregojnë se ka të atillë që në fund të muajit kanë marrë rrogë dhjetë euro, dymbëdhjetë euro dhe tridhjetë euro. Gjithashtu, punonjësve të marketeve të Al Petrol (Shell Kosova) u është ndalur 30% e pagës bazë me arsyetimin e punëdhënësve se për këtë pjesë të parave do t’i ndihmonte shteti.

“Me rastin e krijimit të Pakos Emergjente Fiskale nga Ministria Financave dhe e Transfereve e Republikës së Kosovës për mbështetjen e Sektorit Publik dhe Privat për shkak të Pandemisë Covid-19, ne si punonjës të sektorit privat të punësuar në Kompaninë Al-Petrol Shpk(Shell Kosova) me numër Biznesi: 810321662, konstatojmë se nga po kjo Kompani na janë shkelur të drejtat tona elementare për pagat tona dhe të drejtat tona për të marrë ndihmat që ofron Qeveria përmes Pakos Emergjente Fiskale me rastin e Pandemisë Covid-19,me qëllimin e vetëm që të përvetsojë mjete nga ne!” shkruhet në ankesën e punonjësve.

Ata i kanë bashkangjitur edhe arsyet se në çfarë e mbështesin ankesën dhe ato janë të listuara në dy pika kryesore të cekura më poshtë:

1. Një pjesë e punonjësve të veprimtarisë së Gastronomisë kemi punuar deri me datën 15 Mars 2020, që për këtë periudhë në bazë të pagës mujore prej 300 euro, ne duhet të paguhemi nga kompania në vlerë prej 145.16€, por nuk ka ndodhur kështu!

Kompania me datë 16-17 Prill 2020 ka transferuar në llogaritë tona “pagat e muajit Mars” në shuma të ndryshme si: 10€, 12.50€, 30€, e qe eshte dashtur te jete gjysma e pageses prej 145.16 pages, Kompania eshte arsyetuar se shumën prej 145.16€ do e përmbush shteti nga pakoja emergjente fiskale, por sipas konsultave tona me kontabilist të ndryshëm dhe ATK, ne kemi mësuar se Qeveria ka marrë vendim, që për muajin Mars t’ua ndihmojë bizneseve qe pagesën e pagave mujore të punonjësve, në atë formë që kompania i paguan pagat për ditët që është punuar,ndërsa Qeveria paguan për ditët që nuk është punuar,në mënyrë që punonjësit e sektorit privat të marrin pagat e plota në këtë kohë të vështirë pandemie!

Duke vepruar në kundërshtim të këtij vendimi dhe me një veprim të tillë, Kompania në fjalë “Shell Kosova” ka dashur të përfitojë nga pagat tona dhe nga ndihmat e shtetit, duke shkelur mbi mundin dhe të drejtën tonë!

2. Punonjësit e pikave dhe të sektoreve si Derivateve dhe punonjësit e Marketeve në këto pika shitëse të kësaj kompanie, edhe pse kanë punuar deri me datën 31 Mars 2020 dhe puna ka vazhduar, pagat për këtë muaj u janë lëshuar me datë 15 Prill 2020 në vlerë 70% të pagës mujore! Ky veprim është bërë nga Kompania në fjalë,”Shell Kosova” pa paralajmërim dhe pa konsultim me punonjësit!

Poashtu edhe për këtë veprim duke u arsyetuar se nuk ka pasur punë e do nxjerrim ndihma nga shteti! Kjo Kompani që vepron nën logon e brendit botëror SHELL edhe para lëshimit të këtyre “pagave” ka dhënë urdhër që të përgjysmohet Stafi në të gjitha pikat shitëse!Këto dy veprime kanë revoltuar të gjithë punonjësit në të gjitha pikat shitëse,madje disa prej tyre kanë paraqitur edhe kërkesën për lirim nga puna nga kjo kompani,në shenjë revolte kundër këtyre shkeljeve që u janë bërë të drejtave tona!

Punëtorët e Shell Kosova i kanë bërë thirrje Inspektoriatit të Punës që të filloj hetimet lidhur me kompaninë ku ata punojnë. Ata kanë thënë se pagat e tyre caktohen sipas dëshirës së pronarit të Kompanisë, Latif Kryeziut.

“Ne i bëjmë thirrje edhe Inspektoriatit të punës që të hetojë Kontratat tona të Punës me këtë Kompani të quajtur “Shell Kosova”,pasi besojmë se edhe aty na bëhet shkelje, sepse Paga e cekur në Kontratën tonë të Punës është shumë më e vogël sesa paga reale që ne marrim, duke i mundësuar kështu Kompanisë që të përfitojë edhe nga Kontributet tona, pasi ato nuk paguhen për vlerën e vërtetë të Pagës që duhej të paguheshin, por paguhen për vlerën e cekur në Kontratë, vlerë kjo që në disa raste nuk kalon as shumën 150€ dhe është caktuar sipas dëshirës së Drejtorit Ekzekutiv të kësaj Kompanisë, Latif Kryeziut! Poashtu në Kontratat tona figuron se ne duhet të punojmë 40 orë në javë që të përmbushim përgjegjsitë tona ndaj Kompanisë,por në të vërtetë ne punojmë 48 orë në javë!”

Kjo Ankesë do të iu dërgohet Institucioneve Përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të reagojnë kundër këtyre shkeljeve dhe ndihmat që Qeveria ka ndarë të shkojnë në vendin e duhur e jo në xhepat e biznismenave të pandershëm e të papërgjegjshëm! Mbesim me shpresë se Ankesa jonë do të merret në konsideratë dhe Shkelësit do marrin përgjigjen e duhur! Me Shqetësim Stafi Al-Petrol “SHELL Kosova” është thënë në përfundim të ankesë së punëtorëve. //Kosovo Insights