Punëtorët e Telekomit nga sot kanë hyrë në grevë

Pasi përfunduan protestën para Qeverisë së Kosovës, punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë e cila do të mbahet në ndërtesën e Telekomit të Kosovës, transmeton “Kosovo Insights”.

Punëtorët e Telekomit kanë hyrë në grevë, pasi sipas tyre nuk morën përgjigje konkrete se kur do të bëhet zhbllokimi i llogarive të kësaj ndërmarrje, si dhe kur punëtorët do t’i marrin pagat e tyre.

Punëtorët kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, ndërkohë me të dalë para protestuesve, ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, janë pritur me fishkëllima “Hajnat n’burg”.

“Jemi duke bërë përpjekje që sa kohë me I rregullu problemet. Hajdi një delegacion, jemi në përfundim të procesit. Krijone një këshill do të ju tregojmë që procesi është në përfundim, ne kemi disa kërkesa”, ka deklaruar Kuçi.

Perderisa nga sindikata e PTK-së kanë thënë se do të hyjnë në grevë nga nesër në ora 08:00 nëse nuk iu përmbushen kërkesat.

“Nga këtu do të shkojmë në objektin kryesor në grevë, regjionet do të hyjnë në greva në mëngjes. Na priftë e mbara ministër, ishalla sonte e kryni punën”, ka potencuar Lamih Balaj nga Sindikata e PTK-së.

Derisa protestuesit që thirrën “hajna”, Tahiri i revoltuar ua ktheu, duke thënë se ata janë hajna vetë.

“Për ata që po thojnë hajna, unë ju këqyri në sy, jeni ma hajna se unë krejt. Unë nuk jam hajn, jam njeri përfaqësues. Nesër Qeveria duhet me ia dhënë kësaj një zgjidhje”, ka deklaruar ai.//Kosovo Insights