Putin i shkruan Trumpit dhe Johnsonit- Të bashkëpunojmë si gjatë Luftës së II Botërore

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, të premten u ka dërguar telegrame presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe kryeministrit të Britanisë, Boris Johnson, duke thënë se duhet rindezur bashkëpunimi që këto shtete kanë pasur gjatë Luftës së Dytë Botërore për t’i zgjidhur problemet e sotshme, ka shkruar agjencia e lajmeve Reuters të premten.

Kjo nismë e Putinit është e fundit nga një sërë kontaktesh me Washingtonin, me të cilin Moska dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e ngatërruara rreth shumë çështjeve, prej akuzave për sulm kibernetik në zgjedhjet e SHBA-së e deri te lufta në Siri.

Putini dhe Trumpi thonë se kanë punuar bashkë për të finalizuar marrëveshjen globale kundër zvogëlimit të prodhimeve të naftës dhe biseduan në telefon të enjten, kur presidenti amerikan ofroi furnizime me pajisje mjekësore për të ndihmuar Rusinë në luftën kundër koronavirusit.

Lidhjet e Moskës me Londrën sidoqoftë mbesin të dëmtuara për shkak të helmimit të një ish-spiuni rus dhe vajzës se tij në Angli. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, foli me homologun e tij britanik Dominic Raab të mërkurën, ku sipas Moskës zyrtare, u pajtuan që duhet të ketë përpjekje për të përmirësuar bashkëpunimin.

Putini ua dërgoi telegramet dy aleatëve të Luftës së Dytë Botërore në 75-vjetorin e përfundimit të saj.

Rusia, e cila shënon dorëzimin pakusht të Gjermanisë naziste më 9 maj, është detyruar të zvogëlojë festimet për shkak të koronavirusit.

Në mesazhin për Trumpin, Putini tha se Rusia dhe SHBA-ja tash ndodheshin para sfidave të përbashkëta globale.

“Shtetet tona mund të bëjnë shumë për të siguruar siguri dhe stabilitet ndërkombëtar”, ka thënë Putin.

Putin i tha kryeministrit britanik, Johnson, se uniteti i aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore është i nevojshëm edhe sot, dhe se kujtimi i atyre viteve duhet të ndihmojë në përmirësimin e lidhjes mes shteteve.