Qeveria Haradinaj kishte abuzuar financiarisht thotë raporti i auditimit- U harxhuan 17 mijë euro për dy dreka

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar të mërkurën raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2019 dhe ka konfirmuar shpërdorimin financiar.

Në raportin final, theksohet se Zyra e Kryeministrit është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar së do t’i adresojë të gjitha rekomandimet e dhëna.

Kabineti i kryeministrit të para një viti, Ramush Haradinaj, ka harxhuar për dy dreka shumën në vlerë prej 17 mijë euro të parave të taksapaguesëve. Keqpërdorime kishin ndodhur edhe në aspektin e menaxhimit dhe kontrollit financiar.

Në pikën ku flitet për “konkluzionin për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, thuhet se kontrollet mbi të hyrat ishin kryesisht efektive, ndërsa kontrollet mbi shpenzimet në përgjithësi kërkojnë përmirësim të mëtejshëm për të parandaluar parregullsitë.

“Kontrollet nuk ishin zbatuar me konsistencë, kryesisht në: realizimin e shpenzimeve në mungesë të dëshmive të mjaftueshme, kontraktimi i shërbimeve të veçanta pa procedura, realizimi i shpenzimeve me prokurim duke mos përfillur rregullat financiare dhe procedurat e kërkuara ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së për Zyrën e Kryeministrit për vitin e shkuar.

Gjatë tërë vitit të shkuar, kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

Sipas gjetjeve të ZKA-së, fusha më problematike vazhdon të mbetet menaxhimi i subvencioneve dhe transferove.

“Përkundër faktit se në këtë fushë edhe gjatë viteve të mëparshme janë identifikuar parregullsi të shumta dhe mos zbatim i kritereve dhe rregulloreve për ndarjen e subvencioneve, ZKM nuk ka marrë masa për të korrigjuar dobësitë dhe mangësitë ekzistuese. Përkundrazi, situata mund të vlerësohet edhe më e keqe se vitin e kaluar. Menaxhmenti i ZKM duhet t’i hulumtoj shkaqet për një gjendje të tillë si dhe t’i shqyrtoj seriozisht gjetjet dhe rekomandimet e auditimit, dhe ndaj personave përgjegjës të aplikoj masa përgjegjësie”, thuhet në raport.

Fusha tjera, ku nevojiten përmirësime janë: planifikimi dhe realizimi i buxhetit sipas kategorive adekuate, menaxhimi i projekteve dhe aplikimi i kontrolleve të shtuara mbi fushën e prokurimit.

“Mbikëqyrje më efektive duhet të aplikohet edhe në procesin e menaxhimit të avanseve, pasurive jo financiare si dhe menaxhimit të obligimeve të papaguara”, thuhet në raport.

Edhe ktv më 13 e 14 maj kishte raportuar se si një “’ekspert’ u pagua 6 mijë euro në muaj” dhe se si “Qeveria Haradinaj abuzoi edhe në tenderët për vepra memoriale”.