Reagojnë edhe Hoti e Osmani

Pas një heshtjeje institucionale gjatë ditës së sotme, vjen edhe reagimi i krerëve të shtetit.

Dy krerët e shtetit, kryeministri Avdulla Hoti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kanë zgjedhur profilet e tyre në Facebook të bëjnë deklarimet e tyre për publikimin e aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special.

Hoti, në emër të Qeverisë së Kosovës, bën thirrje për qetësi dhe thekson se askush nuk do të duhej të konsiderohet fajtor pa vendimin përfundimtar të gjykatës, si dhe beson që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë.

Postimi i plotë i z. Hoti:

“Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi.

Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit.”

Gjithashtu edhe kryeparlamentarja Osmani bën thirrje për maturi dhe unitet, si dhe thekson nevojën e Kosovës për drejtësi të pavarur e pa presion

Postimi i plotë i znj. Osmani:

“Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion.

Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë.”