Reagon përsëri Shkelzen Gashi

Sot gjatë ditës është zhvilluar një debat mjaftë i madh lidhur me deklaratat e Shkelzen Gashit të dhëna në emisionin Frontal në T7. 

Ai është mbrojtur duke thënë se e vërteta e tij është tërë intervista, jo e prerë në copëza. Shkëputja e fragmenteve dhe prerja në copëza është konsideruar nga Gashi, qëllimkeqe. Reagimin Këshilltari i Kurtit e ka bërë në rrjetin social Facebook.

“Unë nuk kam thënë që UÇK-ja ka kryer krime, por INDIVIDË të UÇK-së (keqpërdorues të uniformës së UÇK-së), qofshin edhe të lartë në hierarkinë e saj (ky nuk është mendim imi, por këto janë vendime të gjykatave të ICTY-së, UNMIK-ut, EULEX-it, si dhe mendime të raporteve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Human Rights Watch e Amnesty International). UÇK-në dhe luftën e popullit tonë për liri e pavarësi e mbrojmë kur pastrohet nga krimet e individëve që i kanë kryer ato në emrin tonë.
Kosovën e mbrojmë nga Gjykata Speciale dhe sulmet tjera që thonë se Kosova është krijesë e një ndërmarrjeje kriminale, vetëm kur ne vetë i dënojmë ata që në emrin tonë kanë kryer krime kundër civilëve të pafajshëm. Kështu e kanë mbrojtur kroatët Kroacinë, kështu duhet ta mbrojmë edhe ne Kosovën.
E vërteta për intervistën dhe intervistat e mia është e tëra. Ju lus mos u shërbeni me copëza të prera qëllimkëqija, shihini në tërësi ato. Po ashtu, ju mirëpres me komente, kritika, sugjerime, rekomandime pasi ta keni parë në tërësi intervistën që po e bashkëlidhi në koment.
Për fund, ju lus, ta shpërndani këtë!”