Reformat në bordet e Qeverisë Kurti – Avancohet kandidatja PSD-së për deputete

Pak ditë pasi bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti emëroi kryeshefin ekzekutiv Sokol Xhafën ky i fundit ka vendosur ta avancoi kandidaten e PSD-së për deputetet, Dardane Sadikun në një pozitë më të lartë në këtë ndërmarrje.

Dardane Sadiku ishte kandidate nga PSD në zgjedhjet e 6 tetorit dhe deri para pak ditësh ishte zyrtare e raportimeve në kuadër të departamentit të kontabilitetit dhe thesarit në KRU “Prishtina”.

12 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy kryetar të komunave pasi janë ndarë nga partia e Albin Kurtit i janë bashkuar Partisë Socialdemokrate. Kjo parti deri në zgjedhjet e fundit është udhëhequr nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Me vendim të kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes, Sokol Xhafa, Dardane Sadiku do të jetë ushtruese e detyrës së menaxheres për kontabilitet dhe thesar në KRU “Prishtina”.

Sadiku ka ardhur në këtë pozitë, pasi që zyrtari i kaluar ishte ngritur në detyrë nga Bordi i përkohshëm i Ndërmarrjes.

Remzi Llumnica, që kishte aderuar në PDK në shtator të vitit të kaluar ishte emëruar nga Bordi i Ndërmarrjes, ushtrues detyre i drejtorit financiar në Ndërmarrje dhe në vend të tij tashëm ka ardhur Dardane Sadiku.

“Momentalisht jam ushtruese e detyrës e menaxheres për kontabilitet dhe thesar. Menaxheri që ka qenë, ka kaluar në ushtrues detyre i zyrtarit kryesor financiar, unë kam qenë zyrtare e raportimeve në kuadër të departamentit të thesarit dhe kontabilitetit dhe jam avancuar si ushtruese e detyrës”, tha Sadiku, derisa konfirmoi se për këtë lëvizje brenda Ndërmarrjes ka vendosur kryeshefi ekzekutiv, Sokol Xhafa.

Dardane Sadiku poashtu e ka konfirmuar se ka qenë kandidate e PSD-së në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019.

“Në zgjedhjet e fundit kam qenë kandidate e PSD-së për deputete. Pozita ime i raporton vetëm zyrtarit kryesor financiar dhe kryeshefit ekzekutiv. Nuk i raporton bordit. Unë nuk jam më pjesë e PSD-së, e as e Vetëvendosjes. S’kam qenë pjesë e Vetëvendosjes kurrë, as në të kaluarën”, tha Sadiku.

Në anën tjetër, kryeshefi i Ndërmarrjes KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa tha se kjo është një lëvizje e përkohshme, derisa të përfundoj procesi i rekrutimit të drejtorit të ri Financiar të ndërmarrjes.

“Kjo nuk është avancim, është ushtruese e detyrës për një periudhë të caktuar derisa të përmbyllet konkursi për zyrtar kryesor financiar, sepse menaxheri kryesor i kontabilitetit ka kaluar si ushtrues detyrë i zyrtarit kryesor financiar dhe kjo pozitë ka mbetë vakante”, tha kryeshefi i ndërmarrjes.

Xhafa thotë se Dardane Sadikun e ka propozuar Remzi Lluminica, i cila ka mbajtur këtë pozitë deri sa bordi i përkohshëm kishte vendosur ta ngrisë në detyrë.

“Zonja Dardane Sadiku është një kolege që ka përvojë në fushën e ekonomisë edhe ka ardhur si propozim, rekomandim prej ushtruese të detyrës që personi kompetent që mund të zëvendësoj është Dardane Sadiku. Pasi që e kemi analizuar situatën brenda ndërmarrjes, kemi vendosur si menaxhment. Ky është një vendim përkohësisht, sepse sapo të përfundoj procedura e zgjedhjes së zyrtarit kryesor financiar, që konkursi është hapur tashmë, ajo kthehet”, tha në mes tjerash Xhafa.

Ai thotë se nuk është marrë me çështjen e kandidaturës së Sadikut për deputetë, në zgjedhjet e kaluara dhe se nuk ka pasur ndonjë kundërshtim ligjor nga brenda ndërmarrjes.

“Nuk është se jam marrë me atë çështjen, e kandidatimit me një parti politike, nuk është se e kam analizuar atë kontekst, përderisa e njëjta nuk ka paraqitur konflikt me pozicionin që e ka mbajtë brenda ndërmarrjes, pse duhet të kishte konflikt nëse ka qenë kandidate për të. Unë s’kam pasur kundërshtim nga aspekti-ligjor”, tha ai, derisa shtoi se Sadiku ka mbi 10 vite që është pjesë e ndërmarrjes. //KosovoInsights