Republika e Harresës- Shkrim nga publicisti Surroi

Çfarë do të jetë Kosova e Xhafer e Shyqri Veliut, babë e bir nga Polaci i Skënderajt?

Çfarë do të jetë Kosova e Xhafer e Shyqri Veliut, babë e bir nga Polaci i Skënderajt?

1.

Dëgjoj fjalët e njërit prej bashkëpunëtorëve të presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë për tri pika që duhet të përmbajë marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, kjo që ka nevojë për një Qeveri të re të Kosovës në mënyrë që teksti tashmë i negociuar të nënshkruhet. Janë tri pika, thotë. Të zhbëhet Gjykata Speciale, të shpallet amnistia për krimet e luftës në Kosovë e në Serbi dhe të “definohet” Veriu.

Nuk kam arsye të dyshoj se këto janë pjesë eventuale të marrëveshjes. Siç nuk dyshoj se kur përmendet “definimi” i Veriut, flitet për rivizatim të hartës së Kosovës me copëtim të territorit të saj, ashtu siç e paraqiste ky bashkëpunëtor në studio televizive. Siç kam mësuar të mos kem arsye të dyshoj se ka bashkëpunuar me Shërbimin e Sigurimit shtetëror të Serbisë.

Më nxit lehtësia me të cilën flitet për Gjykatën Speciale, për amnistinë, për territorin. Lehtësia është shenjë se nuk ekzistojnë dilemat. Gjatë bisedimeve mund të ketë pasur dikush lëkundje se a bën të hiqet Gjykata Speciale apo a bën të ketë amnisti, apo a bën të ricopëtohet Kosova? Por tashmë nuk ka dilema. Ka vetëm prezantim të projektit si një akt të kryer. Si një projekt që fillimisht duhej shitur partive politike (atyre që votuan rrëzimin e Qeverisë) e pastaj popullit.

Jemi në këtë fazë.

2.

Mendoj se do të ishte mirë që marrëveshja t’u shpjegohej Xhafer e Shyqri Veliut nga Polaci i Skënderajt. Xhaferin dhe të birin e tij 13-vjeçar ushtria serbe i kishte marrë nga mali afër fshatit, ku ishin strehuar, dhe i kishte mbledhur së bashku me 110 burra e fëmijë të tjerë nga fshatra të ndryshme të Drenicës. Që të gjithë u vendosën më 30 prill të vitit 1999 në xhaminë e fshatit Qirez. Prej aty, më 1 maj të mbledhurit u shpërndanë në kamionë të ndryshëm. Të miturit, ku ishte Shyqriu 13- vjeçar me 24 të tjerë, u futën në një kamion. Të rriturit u futën në dy kamionë të tjerë. Që të gjithë u dërguan për t’u ekzekutuar te vendi i quajtur “Shavarinat”, afër “Ferronikelit”. Xhaferi iku nga ekzekutimi dhe duke ikur u plagosur në tri vende. I biri i tij, Shyqriu, së bashku me 24 fëmijë e të mitur të tjerë u ekzekutuan.

Xhafer Veliu filloi të përmblidhte një dëshmi të shkruar për masakrën. Vdiq më 2018, gati njëzet vjet pas të birit. Ai ishte dëshmitari i fundit i gjallë dhe deri në ditën e vdekjes nuk kishte prokuror që të shkonte ta merrte dëshminë e tij.