Revoltohen gratë në Prishtinë (FOTO)

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organiuzar një aksion simbolik duke shkruar parulla nëpër hapësirat publike të Prishtinës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, KMVF ka shpjeguar arsyen e ndërmarrjes së këtij aksioni.

Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist shteti po i neglizhon gratë në raportim dhe në mbrojtjen e jetës së tyre.

Shkrimi i plotë:

Burrat po i dhunojnë, përdhunojnë dhe vrasin gratë, ndërsa shteti po hesht. Në Kosovë vazhdojmë të tronditemi nga dhuna sistematike që po iu bëhet grave e cila herë-herë po përfundon me vrasje. Në anën tjetër vazhdojmë të ndihemi të çdo herë më të rrezikuar/a për shkak të mos-reagimit nga shteti. Kjo dhunë ndaj grave është thellësisht gjinore si dhe mos-reagimi shoqëror e institucional është thellësisht patriarkal.

Paternalizmi institucional po i shtypë dhe vret gratë. Shteti vazhdon të rreshtohet në anën e të fortëve, të cilët grabisin mirëqenien ekonomike të grave dhe i shtypin ato deri në vrasje duke thelluar kështu pasigurinë, pabarazinë gjinore, padrejtësinë. Gratë vazhdojnë të dhunohen, përdhunohen e vriten veç pse janë gra. Ndërsa burrat dhunojnë, përdhunojnë, vrasin e amnistohen sepse janë burra.

Pasiguria e thellë që po ushqehet tek gratë brenda shtëpisë, në rrugë e në institucione është krim dhe këtu shteti është bashkëfajtor. Andaj ne e kundërshtojmë dhe e denoncojmë këtë praktikë shtypëse e cila po e legjitimon krimin dhe nuk po i mbron viktimat. Ne do të vazhdojmë të rezistojmë dhe të luftojmë për një shoqëri ku secila e secili është e/i lirë dhe ka një jetë të dinjitetshme.