Rexhep Selimi paraqitet sot para Dhomave të Specializuara

Sot për herë të parë, duke filluar nga ora 11:00, para Dhomave të Specializuara në Hagë do të paraqitet Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, shkruan “Kosovo Insights”.

Kujtojmë se të Enjeten me datë 5 nëntor, në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, u transferuan Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, derisa Krasniqi ishte transferuar një ditë më parë, pra më 4 nëntor.

Aktakuza, prej 68 faqesh, është konfirmuar më 26 tetor 2020, sipas Dhomave të Specializuara.

Derisa veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit lidhen me krime lufte, ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, që sipas Speciales janë kryer nga marsi 1998 deri në shtator të vitit 1999.

Bazuar në aktakuzë, dyshohet se krimet janë realizuar në disa vende të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë Veriore nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, potencohet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Sipas tyre, për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë.

Sipas aktakuzës, kundërshtarët ishin njerëz që u perceptuan se kanë bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera.//Kosovo Insights