Selimi në Gjykatën Speciale: Lufta ishte e drejtë dhe e pastër dhe se kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi

Në paraqitjen e tij të parë, para Gjykatës Speciale, Shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka potencuar se nuk është momenti dhe as vendi që të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate, sepse e ka themeluar Kuvendi i Kosovës, por unë si deputet i atij Kuvendi e pata kundërshtuar këtë gjykatë, shkruan “Kosovo Insights”.

“Ju faleminderit. I nderuar z. gjyqtar. E di që ndoshta këtu nuk është momenti dhe as vendi që të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate, sepse e ka themeluar Kuvendi i Kosovës. Unë si deputet i atij Kuvendi e pata kundërshtuar këtë gjykatë…. Donim që drejtësia të bëhej në Kosovë”, ka deklaruar Selimi.

Selimi ua ka kujtuar se vetëm pak muaj pas vendimit të kësaj gjykate, Serbia nxori një raport nga Dick Marty si kundërpeshë ndaj pavarësisë së legjitimuar të Kosovës.

“Vetëm pak muaj pas vendimit të kësaj gjykate, Serbia nxori një raport nga Dick Marty si kundërpeshë ndaj pavarësisë së legjitimuar të Kosovës…. Sidoqoftë, ja ku jemi. Kjo gjykatë është fakt. E unë këtu nuk jam si një deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë, por si luftëtar dhe një nga themeluesit e UÇK-së”, ka thënë Selimi.Rolet këtu i kemi të ndara, por ju lutem më bëni të besoj që qëllimi i të gjithëve këtu është drejtësia”, ka potencuar Selimi.

Derisa sa i përket aktakuzës, Selimi ka thënë se lufta ishte e drejtë dhe e pastër dhe se kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi.

“Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze dhe e padrejtë, për mua dhe për luftën. Por vetë ky proces do ta dëshmojë se lufta ishte e drejtë dhe e pastër dhe se kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi” shtoi Selimi.

“Po, unë kam luftuar kundër Serbisë okupatore, kundër asaj Serbie që veç të këqija i ka sjellë vendit tim. Prandaj unë e kam bërë vetëm detyrën time. Unë jam veç një çlirimtar që luftën e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kam përfunduar me gjeneralin Clark… Drejtësia e mbi të gjitha e vërteta, duhet të jetë qëllimi i të gjithëve këtu, ashtu siç do të jetë qëllimni im parësor në këtë proces”, tha ai.

Selimi potencoi se ka pasur kohë që ta lexojë e analizojë aktakuzën dhe se ndihet i pafajshëm.

“Po i nderuar kryetar. Unë kam pasur kohë të mjaftueshme që ta shoh aktakuzën dhe më lejoni që sot këtu të deklaroj se ndihem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë Selimi.//Kosovo Insights