Selimi thotë se Thaçi e Vuçiq, nga bashkëbisedues u kthyen në bashkëpunëtorë

Deputeti Rexhep Selimi është i bindur se ka një plan mes presidentit të Kosovës Hashimi Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, kjo marrëveshje ndër të tjera parasheh edhe amnistimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia, me kush që siç tha Selimi, të amnistohet vet Thaçi nga Gjykata Speciale.

Selimi i ftuar në emisionin Raport të KTV-së, tha se Thaçi e Vuçiq nga bashkëbisedues që ishin janë kthyer në bashkëpunëtorë.

“Nga bashkëbisedues janë kthyer në bashkëpunëtorë, duke bashkëpunuar në një plan. Në sfond e kanë një kujdestar që ua nxjerr këto dhe për fat të keq tregohet se cili është plani. Marrëveshja, sipas kujdestarit të Thaçit, duhet t’i ketë tri elemente. Duhet të përfshijë Gjykatën speciale dhe zhbërjen e saj, pastaj amnistinë për të dy palët dhe, në fund zgjidhjen e çështjes së Veriut. Edhe në të parën, edhe në të dytën edhe në të tretën ai ngreh diçka, kjo duhet të jetë shqetësuese, më shumë se një deklaratë e një personi siç është Shkëlzen Gashi, që ishte këshilltar e sot nuk është më”, tha Selimi.

Ai nguli këmbë se Kosovës i kanoset një rrezik i madh nëse tentohet të finalizohet kjo marrëveshje. Selimi thotë se e gjitha po bëhet për të mirën e një njeriu.

“Jam shumë i sigurt që brenda kësaj ka një të vërtetë, por duhet ta konfirmoj se Thaçi pranon ta amnistojë Serbinë për të gjitha krimet me kushtin që të jetë i amnistuar nga Gjykata që e ka formuar vetë. Amnistia për të dy palët ka të bëjë me faljen e krimeve që kanë kryer serbët dhe me faljen e Thaçit nga Gjykata”, ka shtuar ai.

Foli edhe për deklarimet e mëhershme të Thaçit rreth kufijve, si përmirësimi i tij me Serbinë apo edhe shkëmbimi i territoreve.

Ai tha se shpëtim për Kosovën ishte fitorja e VV-së në zgjedhjet e fundit, por pati faktorë të tjerë që po duan t’ia marrin atë për të realizuar planin.

“Por ne nuk kemi plan tjetër, pos ta mbrojmë fitoren, pasi ajo është edhe e qytetarëve”, ka shtuar Selimi.